Turizmi në Europë pritet të përfitojë ndjeshëm gjatë këtij sezoni nga konflikti që ka nisur mes Rusisë dhe Turqisë. Rusia ka urdhëruar embargon ndaj çdo elementi turk, përfshi këtu edhe turizmin si një nga burimet më të mëdha të të ardhurave për këtë industri. E nga ky konflikt (nëse vazhdon) shpresohet që të përfitojë edhe Shqipëria. Drejtuesit e agjencive turistike në vend thonë se në të ardhura efekti mund të jetë “zero”, pasi numri i shtetasve rusë (edhe pse Shqipëria lehtëson regjimin e vizave për shtetasit rusë gjatë përiudhës maj-shtator) ndaj totalit është i pandjeshëm. Por, sipas tyre nëse situata vazhdon atëherë industria turke e turizmit do të detyrohet të operojë me paketa më të favorshme për të mbushur “gropën” që do të krijojë mungesa e pushuesve rusë. Kjo do të thotë paketa me çmime shumë më të lira në resortet turke. Drejtuesit e agjencive nuk japin “shpresa” që kjo të reflektohet në udhëtimet me rastin e festave të fundvitit, por thonë se ndikimi në këtë segment do të jetë i ndjeshëm.
Ndërkohë që kujtojnë se nga një tjetër ngjarje e rëndë, siç është ajo e Parisit janë anuluar të gjitha ofertat për kalimin e festave të dhjetorit nga ana e shqiptarëve.
Të dhënat tregojnë se rusët gjenerojnë në turizmin turk rreth 4 miliardë dollarë të ardhura në vit dhe rënia do të llogaritet në rreth 75%. Rusët renditen të dytët pas gjermanëve sa i përket numrit të vizitorëve.
Edhe më herët numri i turistëve rusë në Turqi ishte në rënie për shkak të krizës së rublës. Në vitin 2014 rreth 4.48 milionë rusë vizituan Turqinë, ndërsa na total numri i turistëve arriti në 40 milionë, duke gjeneruar rreth 34.3 miliardë dollarë.
Gjatë 2015-ës numri i rusëve që vizituan Turqinë u ul me rreth 800 mijë, ndërsa nga agjencitë situata që po kalon turizmi vlerësohet si kaotike.
MONITOR