Paraditen e sotme të rinjtë e FRPD-së kanë marshuar para Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë si formë proteste për vrasjen e 25-vjeçarit, Klodian Rasha.
Të pajisur me çadra, pankarta në duar, të rinjtë kanë marshuar nga një institucion në tjetrin.
Ata kanë kërkuar njëzëri drejtësi për vrasjen e 25-vjeçarit duke sulmuar edhe ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj.
Gjithashtu, në një prononcim për media kreu i FRPD-së Belind Këlliçi hodhi akuza ndaj ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, pasi tha se i ka dhënë imazhin më të keq Policisë së Shtetit.
“Lleshaj është njeriu që i ka dhënë imazhin më të keq Policisë se Shtetit. Ky është model i turpshëm i politikanit shqiptar”, u shpreh Këlliçi.
Ndërkohë, pati edhe nga ata të rinj të cilët nuk e përmbajtën veten duke sharë dhe fyer Lleshajn.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm në zonën e Laprakës në Tiranë, ku 25-vjeçari Klodjan Rasha u qëllua për vdekje nga efektivi i “Shqiponjave” me iniciale N.H.
Sipas policisë i riu po kryente disa lëvizje të dyshimta, dhe pas thirrjeve të vazhdueshme ka kërcënuar efektivin, ndërkohë që ishte i armatosur.
Në këto momente efektivi qëlloi me armë zjarri në drejtim të 25-vjeçarit, i cili humbi jetën në spital.
Vetëm pak orë pas ngjarjes efektivi u arrestua me akuzën e “Vrasjes në kushtet e kapërcimit të mbrojtjes së nevojshme” dhe po hetohet nga të gjitha strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit.