Kryeministri Edi Rama ka njoftuar fshirjen e kamatpagesave për detyrimet ndaj OSHEE, duke paguar shumën prej 100 lekësh të vjetra.
Rreth 22 mijë familje në nevojë kanë respektuar marrëveshjen e posaçme me OSHEE për të shlyer me këste detyrimet e prapambetura të energjisë elektrike.
Në një deklaratë për median nga Kryeministria, Rama tha se këtyre familjeve do t’u fshihet e gjithë barra e kamatëvonesës nga sistemi me pagimin në sportelet e OSHEE të shumës simbolike.
“Lajm i mirë për familjet në nevojë. Janë 25 mijë persona me status e përfituesit të ndihmës ekonomike të cilët mes aktmarrëveshjeve të posaçme kanë nisur shlyerjen e detyrimeve të prapambetura me këste mujorë të ulëta.
22 mijë familje prej tyre i kanë respektuar me korrektesë kushtet e marrëveshjes dhe kanë paguar bashkë me faturën mujore, edhe vlerën e këstit mujor.
I falënderoj përzemërsisht dhe vlerësoj shembullin e tyre dinjitoz për respektimin e ligjit. Këtyre konsumatorëve, barra e kamatëvonesave do t’u hiqet përfundimit përkundrejt një pagesë njëherë të vetme prej 100 lekësh të vjetra. Duhet të paraqiten në sportelet e OSHE, të paguajnë 100 lekë të vjetra, dhe të plotësojnë kontratën reale, me kushte normale”, tha Rama.
Afati për ta bërë një gjë të tillë është 31 janari 2016.
Rama foli edhe për ata që nuk e kanë respektuar marrëveshjen me OSHEE, duke thënë se shansi nuk do t’u mungojë.
“Ata që nuk kanë ndjekur shembullin e përfituesve të mësipërm, do të kenë mundësi të fshijnë kamatëvonesat në korrik 2016, nëse deri më 30 qershor 2016 paguajnë faturat mujore, plus këstin prej një mijë lekësh, sipas marrëveshjes”, tha Rama.
Kryeministri shpjegoi se ky operacion ka një kosto prej 37 milionë dollarësh.