Partia Demokratike prezantoi ofertën e saj të re për taksat, që sipas kryetarit Lulzim Basha, do të rikthejë besimin tek ekonomia shqiptare.
“Jemi në një situatë që të gjithë e njohim mirë. Është vështirë të gjejmë edhe ndonjë deputet të mazhorancës që është i kënaqur me ecurinë fiskale të qeverisë. Dokumentet zyrtare të qeverisë vërtetojnë se politika e taksave të larta nuk funksionon. Po tkurret ekonomia, po falimentojnë bizneset dhe po bien të ardhurat si rezultat i kontrabandës së shtuar”, e nisi fjalën e tij Basha, i cili më pas shpalosi “vizionin e ri, një revolucion fiskal për të rikthyer besimin tek ekonomia shqiptare”.
“Do të nisim me taksën e sheshtë 9%, duke vazhduar me lehtësimin e biznesit të vogël nga represioni i padrejtë i tatimorëve që përpiqen të nxjerrin dhjamë nga pleshti. Tatim 0.5% të xhiros për biznesin e vogël”, theksoi Basha.
Kreu i PD-së shtoi se “do i japim Shqipërisë nivelin më konkurrues të TVSH-së: 15%”.