Për vrasjen e efektivit të FNSH-së Xhulio Prela, Policia e Shtetit ka ndaluar një person të dyshuar. Bëhet fjalë për një të ri nga rrethi i Kurbinit, i cili është ndaluar në Lezhë dhe do t’i krahasohen gjurmët, me provat që janë mbledhur në vendin ku u vra 26-vjeçarit.
Policia dyshon se ky person ka marrë pjesë në ekzekutimin e Xhulio Prelës, mëngjesin e 5 Dhjetorit në autostradën Lezhë-Milot. Uniformat blu kanë marrë gjurmë në duart e tij, për të mësuar nëse ka qëlluar me armë.
Grupi hetimor ka të dhëna se vrasja është kryer për shkak të detyrës, prandaj pista kryesore mbetet ajo e konfliktit që Xhulio Prela ka patur pas shoqërimit të disa personave në Lezhë, kur ishte polic aty, në vitin 2018-të.
Gjithashtu priten të dhënat nga celulari i 26-vjeçarit, për të parë se çfarë ka komunikuar në bisedat e fundit dhe nëse personi që e ktheu nga rruga, ishte pikërisht njëri nga vrasësit. Nga kamerat e sigurisë dallohet që Xhulio Prela po udhëtonte drejt Tiranës, por një telefonatë dhe shenjat me dritë dyshohet se e kanë kthyer nga rruga.
Gjithashtu një pistë ku po hetohet janë edhe borxhet, por ende nuk ka të dhëna të sakta. Efektivi i FNSH-së përshkruhet nga kolegët si tip i qetë, pa konflikte dhe që nuk u kishte raportuar miqve për ndonjë problem kohët e fundit.
/a.r