Nga Ardit Rada
Për të thënë se është në punë edhe ditën e diel, Lulzim Basha ka shpërndarë disa sekonda nga një kronikë televizive duke e shoqëruar me nja tre fjali të tijat si reagim politik. Bëhet fjalë për thirrjen e sinqertë të një djali, që kërkon ndihmë nga spitali në Tiranë për të ëmën e infektuar. Është e tepërt të komentohet se qytetari u përdor pa dëshirsn e tij politkisht nga Lulzim Basha. Të njohur e të panjohur shpreh bindjen se do t’i uronin atij shërim të shpejtë dhe më të mirën për shëndetin e të gjithë familjes. I vetmi që ka bërë ‘bingo’ me videon trishtuese është kreu i PD.
Në fakt, mbingarkesa në spitale apo të sëmurë që qëndrojnë në ambulanca ka të paktën një muaj që është sqaruar përse ndodh. Madje po të mos dilte nga Kuvendi dhe po t’u përgjigjej ftesave për tryeza, kryeopozitari do ta merrte vesh me kohë që ‘arma’ më e fortë është distancimi social dhe jo piskamat.
Ndaj edhe sot, nuk po merret vesh përse Basha nuk jep një dorë që ta parandalojë këtë fluks pacientësh. Fjala bie, shkon kudo dhe premton se do shpërndajë lekë për të tërë. Askund nuk i bën thirrje njerëzve të mos grumbullohen. Përkundrazi, ‘vdes’ të ketë sa më shumë pranë vetes, sikurse bëri në Durrës ku dhe u procedua. Ose në rastin më qesharak, bën një plan me pesë pika ku sheh vetëm lekë. Lekë për t’u anuluar nga qeveria dhe lekë për t’u shpërndarë nga ai pas 25 prillit. Asnjë fjalë për spitalet se çfarë do donte ai të kishin më shumë, por vec propozime për rishpërndarje parash. Jo për të sëmurët, por aty ku janë votat. Kompanive u thotë do t’u jap 200 mijë lekë për çdo të rikthyer në punë. Mjekëve u thotë do ju jap bonuse mijëra euroshe, e të tjera plot si këto.
Nxjerr përditë mjekët e opozitës nga Bardh Spahia te Petrit Vasili për të ngritur teori konspirative, por asnjë propozim për përmirësim në sistemin shëndetësor. Jo vetëm Basha, por as mjekët Sali Berisha apo Tritan Shehu nuk thonë gjysmë fjalë çfarë duhet bërë më tepër me spitalet, me mjekimet, apo qoftë edhe me morgun meqenëse e kanë merak. As Nard Ndoka nuk flet që e ndriti Shëndetësinë kur ishte ministër. Se fare lehtë mund të thoshtë: I lashë spitalet me 300 respiratorë dhe Rama e Manastirliu i thyen nga inati.
Sot, pas Presidentit dhe të shoqes që vendosën të mbajnë maskë në muajin e tetë të pandemisë, është përmendur Lulzim Basha. Duke i vajtur sinjali me vonesë, ai tmerrohet pas 8 muajsh se Covid shkakton edhe lotë mes familjarëve. Madje na qan edhe hallin nëpër internet se është tronditur shumë. Nuk dihet pse e përkëdhelin kaq shumë këtë personazh që drejton opozitën, saqë ia kursejnë në panele pyetjen: Çfarë do bësh për spitalet nëse sot do të ishe kryeministër? Dhe pas asaj përgjigjes që përsërit për çdo gjë se”do anuloj koncesionet”, normalisht vjen pyetja tjetër: E zëmë se i ke lekët, ku do t’i ‘hedhësh’ në Shëndetësi? Se respiratorë e pajisje mbrojtëse kanë sjellë BE, SHBA dhe NATO e s’është ankuar njeri për mungesa të tilla. Por mjafton fakti që PD e ka lënë kryesisht Shëndetësinë ta drejtojnë aleatët më qesharakë, si Ndoka e Vasili, për të kuptuar sa seriozisht e ka pasur këtë sektor.