Situata në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ paraqitet e tensionuar ditën e sotme. Bëhet e ditur se autoambulancat janë në rradhë dhe prej orësh po presim që të akomodojnë në ambientet e brendshme pacientët që kanë në mjete.
Janë shtatë ose tetë mjete të cilat qëndrojnë në rradhë në ambientet e jashtme të ‘Shefqet Ndoqit’.
“Situata paraqitet më e rënduar se një ditë më parë, 7-8 ambulanca me pacientë që presin në radhë për akomodim. 3 prej tyre i kemi gjetur në ambientet e jashtme rreth orës 9, po bëhen dy orë që presin. Vijojnë të vijnë edhe ambulanca të tjera” raporton gazetarja e Ora News.
Mjeku Ilir Allkja ka konfirmuar atë që po ndodh jashtë ambienteve të spitalit. Ai ka postuar një video në Facebook ku shihet qartë rradha e gjatë e mjeteve.
‘Pamje normale me ambulanca që presin të dorëzojnë të sëmurët në spitalin “Shqefqet Ndroqi”. Normale, pasi jemi nje vend i varfër me kapacitete të kufizuara jo vetëm spitalore por edhe në burime njerëzore , mjekë e infermierë, sidomos të specializuar.
Ajo që e shëmton fare keq situatën ku ndodhemi, është propaganda qeverritare e cila tregon një situatë normale, me kapacitete spitalore të pa ezauruara, me shërbim me standarte të njëjta me Francën , Gjermaninë etj !’- shkruan mjeku ne Facebook.
Ditën e djeshme janë shënuar 19 viktima dhe 846 raste të reja me Covid. Aktualisht në 4 spitalet COVID, po trajtohen 480 pacientë, 33 në terapi intensive, 14 pacientë janë të intubuar. Në 24 orët e fundit janë shëruar 312 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 21.286 që nga fillimi i epidemisë.