Zbardhen detaje të reja lidhur me atentatin e ndodhur pak ditë më parë në Lezhë, ku i plagosur mbeti Aleksandër Deda, gjithashtu i njohur si “Leksi i Druve”. Gazetari Elton Qyno bën me dije se Deda është një personazh jo i panjohur për Policinë e Lezhës. Mësohet se 42-vjeçari ka pasur një konfklikt me një ish-deputet të Partisë Socialiste.
Edhe pse në gjendje të mirë shëndetësore, Deda nuk ka pranuar që të bashkëpunojë me Policinë e Shtetit për të zbardhur atentatin ndaj tij duke mos treguar shumë detaje se çfarë ndodhur në mbrëmjen e 1 dhjetorit.
Autorët e kishin vjedhur makinën tip “Audi” në qytetin e Lushnjes, ndërsa targat që i hoqën para se ta digjnin i kishin “huazuar” në Lezhë. Brenda mjetit është gjetur i shkatërruar nga flakët një kallashnikov dhe një sasi gëzhojash, ndërkohë që i padëmtuar është gjetur edhe një telefon celular që dyshohet t’i ketë rënë një prej autorëve teksa nxitonte që të largohej nga vendngjarja. Ky telefon do të zbërthehet nga Policia për të zbuluar çfarë fshihet nga tabulatet, kush dhe kë ka telefonuar autori.
Pse është i njohur Deda për Policinë e Lezhës?
I plagosuri rezulton i dënuar në Itali dhe gëzon disa pasuri të konsiderueshme në Lezhë e Shëngjin, por shumë prej tyre ia ka kaluar në emër të vëllait të tij, Bledar Deda. Dy vëllezërit janë hetuar për pastrim parash, dhe Prokuroria e Lezhës u ka sekustruar një sipërfaqe të konsiderueshme toke prej 1146.6 m2 në qëndër të Lezhës. Pikërisht në këtë pronë është një ngritur një ndërtesë, lejen e të cilës e ka lëshuar ish-kryebashkiaku i LSI-së, Viktor Tusha.
g.kosovari