Policia e Shtetit ka vijuar kontrollet në terren sa i përket zbatimit të masave antiCovid nga qytetarët dhe bizneset. Përmes raportimit të 24 orëve, policia thotë se pesë persona të infektuar janë konstatuar rrugëve dhe si masë ndëshkimore ata janë gjobitur me nga 7 milionë lekë të vjetra secili.
Ndërkohë, 571 qytetarë që nuk mbanin maska janë ndëshkuar me nga 30 mijë lekë të vjetra gjobë. Policia thotë se 18 qytetarë të tjerë janë gjobitur pasi janë kapur duke lëvizur pas orës 22:00, të papajisur me leje.
Pjesë nga njofitmi:
Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 571 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.
Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 6 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.
Në vijim të kontrolleve për zbatimin e vetëkarantinimit të detyrueshëm nga shtetasit e infektuar me COVID-19, janë evidentuar 5 shtetas që kanë shkelur rregullat e vetëkarantinimit, të cilët janë ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë secili.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë konstatuar 18 qytetarë që lëviznin në rrugë pas orës 22:00, pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.
/a.r