Dalin detaje interesante në librin e deputetit socialist Spartak Braho. Pak ditë më parë deputeti Braho nxori librin “Masakroni Servet Pëllumbin”, një libër që tregon shumë detaje dhe të pathëna mbi zhvillimet politike në Shqipëri, por jo vetëm. Braho padyshim është ndër të paktit që e ka mbrojtur me forcë luftën partizane. Shumë e kanë sulmuar dhe anatemuar, por Braho u ka dalë në krah atyre që luftuan për liri. Në librin e tij Braho tregon se si ballistët ishin në shërbim të pushtuesve. Madje ai tregon se vetë Hitleri e ka dekoruar Ballin Kombëtar, pasi ballistët kapën rob gjeneralin britanik Dejvis, i cili luftonte krah aleancës partizane. Ndërkohë në libër Braho ka publikuar dhe detaje nga karriera e tij. Që kur u angazhua si avokat dhe te bashkëpunimet me Metën, Rucin, Nanon dhe shumë politikanë të tjerë.
Dekorata e Hitlerit për Ballin Kombëtar
Spartak Braho zbardh detajet, ja si Hitleri dekoroi Ballin Kombëtar,
E vërteta mbi Luftën tonë Antifashiste është vulosur njëherë e për gjithmonë më 29 nëntor 1944. Ajo luftë është e qartë si dielli dhe nuk mund ta errësojë kurrkush. Edhe unë nuk do të dëshiroja të merresha me këtë periudhë të historisë, e cila më shkakton dhimbje për faktin e vetëm se kam disa dëshmorë në atë luftë dhe gjithë paraardhësit e mi kanë qenë të lidhur me atë luftë… Mirëpo del një Tufë apo një Çelo, një Butkë a ndonjë Mërtiri dhe më duhet të reagoj. Ky ka qenë thelbi i shqetësimit tim që kam reaguar: Të demaskoj frymën neofashiste aktuale për të përmbysur historinë dhe sidomos përpjekja për të na i rrëfyer ballistët e zogistët si patriotë të mëdhenj! Kjo është sa absurde, aq dhe e padurueshme. Mua më thirri kushtrimi i të parëve në këtë rast (po të perifrazoj një titull libri të Xhek Londonit, shkrimtarit të madh amerikan), i etërve tanë partizanë antifashistë. Betejën me ballistët unë e konsideroj një kapitull të mbyllur. Por meqë ata duan të kruhen, pra që beteja të vazhdojë, unë këtu jam. Më vjen vërtet keq që të vazhdojë kjo betejë me partizanë e ballistë, ndërsa vendi ka sa e sa halle të tjera shumë më emergjente se një debat për luftën e fituar 75 vite më parë. Dokumentet janë të pafundme për historinë e turpshme dhe të ndyrë të ballistëve. Por nganjëherë më duket mundim i kotë përpjekja për t’u mbushur mendjen neofashistëve të sotëm që na hiqen si historianë e studiues.
Por një histori nga më të rëndat për Ballin dhe të turpshme edhe në planin ndërkombëtar, nuk mund të rri pa e treguar. Këtë e kanë bërë ballistët tanë. E kam fjalën për kapjen rob të shefit të misionit britanik në Shqipëri, Gjeneralit Dejvis, nga ballistët e udhëhequr nga Azis Biçaku. Është zhvilluar një betejë e rreptë disa orëshe në zonën e Qarrishtës dhe më në fund ballistët e kapën rob gjeneralin e plagosur rëndë. Më e turpshmja është se ashtu të plagosur ata e dorëzuan gjeneralin e plagosur te gjermanët. Në këto të dhëna janë bazuar edhe studimet e z. Vladimir Meçe, i cili ka shkruajtur hollësisht.
Një ngjarje që bëri jehonë të madhe në atë kohë ndërkombëtarisht, duke mbërritur deri te vetë Hitleri, i cili vendosi menjëherë të dekoronte ballistët shqiptarë. Se si ndodhi kjo histori e ka përshkruar në mënyrë të shkëlqyer Prof. Arben Puto, e cila nuk ka nevojë për asnjë koment. Për të kuptuar se sa e rëndësishme është kjo ngjarje dhe sa demaskuese për Ballin Kombëtar duhet t’u bëjmë të ditur lexuesve disa elementë shumë domethënës. Gjeneral Dejvis (Edmond Frank) i mbiquajtur Trocki, ishte shef i Misionit Ushtarak Britanik në Shqipërinë e pushtuar gjatë vitit 1943 dhe janarit të vitit 1944. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, aleatët (Angli, SHBA, BRSS) luftonin në shumë fronte dhe kishte përpjekje të vazhdueshme e të organizuara për të shfrytëzuar çdo mundësi e çdo burim që do të provokonte rezistencë ndaj trupave pushtuese në çdo vend të Europës. Në këtë kuadër, nxitja e lëvizjeve të rezistencës në territoret e pushtuara ka qenë njëra nga detyrat e misioneve ushtarake aleate të hedhura në rajonin e Ballkanit, përfshi këtu edhe Shqipërinë.
Lexoni se çfarë ka shkruar Gjenerali Dejvis më vonë për këtë ngjarje: “Doktori (gjerman) thirri në dhomë bajraktarin shqiptar, Aziz Biçaku që kontrollonte zonën e Lunikut. Pata dëgjuar për të nga Frederik Nosi… Doktori i dorëzoi Biçakut pushkë dhe automatikë, plus para dhe i mori një dëftesë. E pyeta doktorin se ç’po bënte ashtu dhe ai m‘u përgjigj: “Ne e përkrahim Ballin me armë dhe para për të luftuar komunistët që përkrahni ju…” dhe vazhdon më tej gjenerali që provoi tradhtinë dhe pabesinë e kolaboracionistëve. “Të nesërmen në mëngjes patrulla gjermane më nxori në rrugë ku na priste një autoambulancë. Atje ndodhej Aziz Biçaku me një turmë ballistësh për të na parë kur të niseshim. Ai qeshte me gjermanët…”
–A e harroi gjeneral Trocki, Aziz Biçakun dhe pabesinë e tij?
Kurrsesi! Siç dëshmon në kujtimet e tij, pas Luftës së Dytë Botërore, kur ishte komandant brigade i trupave angleze në Greqi, Gjenerali Dejvis e mori vesh se Biçaku fshihej në Greqi, me kartën e antikomunistit e të demokratit. Kur mori vesh se dikush interesohej për të, Biçaku u zhduk thellë në Anadoll, në Turqi. Për fatin e tij gjenerali nuk u interesua më. Përtej “Biçakëve”, gjenerali plot dashuri e emocion shkroi për popullin tonë, për rezistencën e tij antifashiste që e vendosi me dinjitet krahas fitimtarëve të Luftës së Dytë Botërore.
–Thuhet se gjenerali Dejvis është dekoruar nga Enver Hoxha pas Luftës?
Është plotësisht e vërtetë. Në vitin 1945 Enver Hoxha me cilësinë e Kryeministrit të Shqipërisë ka dekoruar gjeneral Dejvisin dhe gjithë ushtarakët anglezë dhe amerikanë që ndihmuan në fitoren e Luftës Antifashiste. Dekoratat qenë të niveleve të ndryshme sipas kontributeve. Gjenerali Dejvis ka marrë një dekoratë të lartë… Natyrisht plotësisht të merituar, pavarësisht rezervave të shumta që Enveri kishte për këta aleatë. Shikoni ndryshimin: Pasi ballistët e tradhtuan gjeneralin Dejvis dhe aleatët, me paturpësinë e skajshme që i karakterizonte, u kërkonin më vonë aleatëve anglezë dhe amerikanë t’i ndihmonin të përmbysnin komunistët dhe të merrnin sërish pushtetin.
ANGAZHIMI NË VITE SI AVOKAT I TË MAJTËS
Pas largimit tim nga Albkontrolli, strukturë e Ministrisë së Tregtisë së Jashtme, si jurist ne vitin 1991 dhe gjendjes pa punë, iu drejtova Ministrisë së Drejtësisë për t’u pajisur me licensën e avokatit. Padyshim unë i plotësoja të gjitha kriteret profesionale, përveç se njërës… Isha afishuar ndërkohë hapur në shtyp si militant socialist dhe për këtë shkak isha i papranueshëm në zyrat e kësaj Ministrie nga një ministër i përfolur si bixhozxhi i quajtur Hektor Frashëri, i cili emrin tim e kishte rrethuar me laps të kuq. Ishte një jurist tjetër Nuro Hoti, ish i dënuar politik, i cili drejtoi në vitet 92- 94 Gjykatën e Kasacionit (Gjykata e Lartë), i cili ndërhyri dhe me mirësjellje më dorëzoi licensën e avokatit. Ishte po ky njeri i nderuar ndonëse, erdhi në pozicionin e Kryetarit të Gjykatës së Kasacionit i rekomanduar nga PD që u përplas shumë shpejt me Sali Berishën për shkak të ndërhyrjeve të tij në punët e Gjykatës duke dhënë dorëheqjen.
1. Arrestoni Fatmir Kumbaron se është i rrezikshëm
Spartak Braho zbardh detajet, ja si Hitleri dekoroi Ballin Kombëtar,
Biografia ime si “avokat” fillon në 30 korrik 1993 dhe që lidhet me demonstratën e madhe të socialistëve kundër arrestimit të Fatos Nanos. Po atë ditë ku u gjakosën, u goditën dhe arrestuan edhe mjaft drejtues të tjerë të PS. Midis tyre edhe Fatmir Kumbaro, anëtar i kryesisë së PS, ish-profesor i imi i Fakultetit Juridik, ish-drejtor i Televizionit Shqiptar. Sali Berisha kishte patur një mllef të madh hakmarrës ndaj Fatmir Kumbaros, veçanërisht gjatë kohës që ai drejtonte TVSH-në. Me porosi të Servet Pëllumbit, u njoftova dhe u thirra urgjent nga Durrësi për të ndjekur si avokat akuzën ndaj Fatmir Kumbaros për “organizim të mitingut të paligjshëm”. Fatmir Kumbaro u dënua thjesht politikisht si drejtues i PS me 6 muaj burg. Pas shumë peripecish dhe ndërhyrjesh, edhe të Azem Hajdarit, ai u lirua edhe nga Gjykata e Apelit, e cila ia shkurtoi dënimin me 4 muaj ndonëse ishte krejtësisht i pafajshëm. Kjo ishte përballja e parë si avokat me pushtetin Gjyqësor i komanduar tashmë nga Sali Berisha.
2. Përse u burgos profesor Farudin Hoxha
Spartak Braho zbardh detajet, ja si Hitleri dekoroi Ballin Kombëtar,
Angazhimi i dytë ka të bëjë me Prof. e Energjitikës dhe projektuesin e Hidrocentraleve, z. Farudin Hoxha, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe për këto akuza e përplasën në burgun e Tiranës për 6 muaj. Ky njeri i nderuar dhe me kontribute të shquara për shtetin shqiptar asnjëherë nuk e kuptoi pse ishte arrestuar dhe çuditej me arsyetimin e akuzave që ishin formuluar ndaj tij dhe të cilat ishin krejtësisht qesharake. Qëndrova dhe e shoqërova disa muaj në burgun e Tiranës prof. Farudinin duke i dhënë zemër dhe kurajo dhe më pas për shkak të afishimit tim të hapur politik dhe për të mos e dëmtuar atë e orientova të zëvendësohesha si avokat nga një mbesë e tij. Pas disa muaj burg, edhe prof. Farudini u lirua.
3. Çështja Nano
Spartak Braho zbardh detajet, ja si Hitleri dekoroi Ballin Kombëtar,
Angazhimi im i tretë si “avokat” në hije, lidhet me “Çështjen Nano”, i cili u dënua me 12 vjet burg me akuza të montuara nga Blerim Çela, të formuluara nga Prokurori Alush Dragoshi, Arben Qeleshi dhe Fatos Dervishi për “shpërdorim detyre” dhe “vjedhje në favor të të tretëve”. Takimet me Nanon, në burgun e Tiranës dhe më pas në Bënçë të Tepelenës pas përfundimit të gjyqit së bashku me gruan e tij, Rexhina Nano dhe vetë akuzat e ngritura vetëm mbi baza politike me qëllim goditjen e kreut të PS, më motivuan jo vetëm politikisht, por edhe profesionalisht për ta vlerësuar këtë çështje thjesht si një hakmarrje politike pa asnjë bazë ligjore. Arrestimi dhe burgosja e Nanos si kryetar i Partisë Socialiste e kishte kthyer atë në “mit” dhe lirimi i tij ishte ideali i tyre. Akuza për vjedhje në favor të të tretëve ishte një “shpikje” e drejtësisë së Sali Berishës dhe prokurorëve të tij. Kuptimi i saktë dhe i qartë i falsitetit të kësaj “vjedhjeje” dhe fakti se të tretët që kishte ndihmuar Nano në vjedhje kishte të bënte me disa struktura dhe ministra italianë, që kishin organizuar ardhjen e ndihmave në operacionin Pelikani në Shqipëri, por që siç mora vesh këta të “tretë” ndonëse hetoheshin nga prokuroria italiane nuk ishin dënuar.
Drejtuesit e Partisë Socialiste në atë periudhë u angazhuan fuqishëm në mbrojtjen e figurës së Fatos Nanos veçanërisht në arenën ndërkombëtare dhe mjaft prej tyre si Këshilli i Europës, Unioni Ndërparlamentar, Internacionalja Socialiste e një sërë personalitete të së majtës Europiane e dënuan burgosjen e Fatos Nanos duke e cilësuar atë si një i burgosur politik. Ishte kjo arsyeja që Nano u kthye në mit dhe vet militantët dhe Partia Socialiste mblodhën me mijëra firma për lirimin e tij, por asgjë nuk ndodhi. Berisha nuk tundej! Nano duhet të qëndronte në burg dhe Partia Socialiste të shkërmoqej. Ky ishte dhe qëllimi kryesor i Berishës.
Bisedova me disa nga drejtuesit e Partisë Socialiste, Servet Pëllumbin, Gramoz Ruçin, Ermelinda Meksi etj si dhe kolegët që ndiqnin direkt proçesin Përparim Sanxhaku dhe Agim Tirana, të cilëve u shpjegova rrethanat e reja që kisha njohur në Itali. Takimet e mia me prokurorët italianë Vitorio Barbieri dhe Xhiuzepe Montardi më krijuan idenë e saktë se çështja e Nanos nuk ishte thjesht politike, por një kazus i mirëfilltë juridik, duke e goditur juridikisht.
Hapësira dhe mundësia që më krijuan prokurorët italianë në atë kohë,e cila pushoi akuzën për shpërdorim dhe vjedhje për ndihma ndaj një sërë personalitetesh qeveritare italiane, u përdoren për rigjykimin e Nanos duke i dhënë atij pafajësinë.
4. Takimi me Gramoz Ruçin në Athinë
Spartak Braho zbardh detajet, ja si Hitleri dekoroi Ballin Kombëtar,
Angazhimi i katërt lidhet përsëri kundër arrestimeve dhe ndjekjes të disa prej udhëheqësve kryesorë të Partisë Socialiste nga pushteti i Sali Berishës. Kështu, në shkurt të 1996 u ngritën akuzë të rënda ndaj Gramoz Ruçit më synim burgosjen e tij të nxitura nga Azem Hajdari me porosi të Sali Berishës. Këtij arrestimi, Gramoz Ruçi iu shmang, pasi u largua në mënyrë të detyruar për në Greqi. Takimi im, së bashku me Fehmi Abdiun dhe Gramozin si shok të një ideali u bë në shtëpinë e tij në Greqi, ku jetonte familjarisht me dy fëmijët e vegjël dhe gruan në kushte shumë modeste. Sqarimi prej tij i mjaft çështjeve për të cilat akuzohej, më krijoi mundësinë për një mbrojtje dinjitoze, mbas të cilës më pas çështja e tij u pushua për mungesë provash dhe ai mori pafajësi.
5. Të goditet Sabit Brokaj si organizator i kryengritjes në Vlorë
Spartak Braho zbardh detajet, ja si Hitleri dekoroi Ballin Kombëtar,
Angazhimi i pestë lidhet me arrestimin e Prof. Dr. Sabit Brokajt në shkurt
të vitit 1997, i akuzuar për organizim të kryengritjes së armatosur. Ndaj prof.
Brokajt u organizua një gjyq farsë me prova të falsifikuara dhe Gjykata e gjendur përpara evidentimit të këtyre fakteve u detyrua ta lirojë nga burgu dhe ta çojë në arrest shtëpie. Edhe prof. Brokaj më pas u çlirua nga akuzat si i pafajshëm. Peza u bë për të, si dikur gjatë luftës antifashiste, jataku i doktor Sabitit së bashku me miqtë e tij pezakë, Sokol Pezën, Fatos Klosin etj.
6. Të frikësohet profesor Rexhep Mejdani
Spartak Braho zbardh detajet, ja si Hitleri dekoroi Ballin Kombëtar,
Po në këtë periudhë është edhe tentativa për të burgosur prof. Rexhep Mejdanin, i cili u akuzua për organizim të mitingjeve të paligjshme nga ish- ministri i brendshëm Agim Shehu, çështje e cila u ndoq nga Prokurori Blerim Tomini. E shoqërova prof. Mejdanin disa herë në zyrat e prokurorisë, por për hir të së vërtetës, prokurori i çështjes, ndonëse nën presion, edhe për shkak të rrokullisjes së madhe që solli viti 1997, e hetoi çështjen me objektivitet dhe u detyrua ta pushonte pas disa përplasjesh e presionesh për ta frikësuar profesor Mejdanin por që nuk sollën dobi.
7. Çështja Meta-Prifti
Spartak Braho zbardh detajet, ja si Hitleri dekoroi Ballin Kombëtar,
Çështja “Meta” dhe akuzat e ngritura nga Prokuroria e Përgjithshme ndaj tij për korrupsion në vitin 2012 apo siç quhet ndryshe “çështja 7 apo 700”, ndonëse ishte i një karakteri tjetër nga çështjet e ndjekura vite më parë, ishte angazhimi im si deputet dhe këshilltar ligjor pranë grupit të avokatëve të tij. G.Veleshnja dhe P. Seriani, proces që zgjati për një periudhë të gjatë kohe.
Në thelb synohej burgosja dhe eliminimi i tij politik i Ilir Metës si drejtues i LSI, pas divorcit të tij nga Partia Socialiste. Kam patur gjithmonë mendimin se kjo çështje u nxit mbi bazën e disa intrigave midis ”miqsh politik” që synonin të majisnin situatën sociale në janarin e vitit 2012 e shoqëruar kjo edhe me mitingun ku u vranë katër demonstrues që merrnin pjesë nga garda e Sali Berishës.
Kjo çështje u hetua keq, me gabime proceduariale dhe ekspertiza audio-video tregoi se regjistrimet e bëra nga Anton Prifti ishin të manipuluara, siç ka pohuar relatori dhe anëtari i trupit gjykues në Gjykatën e Lartë, Ardian Dvorani. Ishte kjo arsyeja që asnjëherë nuk u vërtetua ligjërisht dhe nuk u provua korrupsioni pasiv i Metës, ndaj dhe Gjykata e Lartë i dha pafajësi, ndonëse ai ishte treguar i “zellshëm” dhe i pakujdesshëm në komunikimet me ish-ministrin e tij Dritan Prifti dhe një sërë biznesmenësh. Ilir Meta doli i pafajshëm ligjërisht, por jo i larë moralisht. Dihet se jo çdo gjë që është ligjore, është e moralshme apo anasjelltas…
Duke analizuar këtë “biografi” kam bindjen se kam bërë vetëm detyrën si jurist në fushën penale, duke patur si qëllim dhe moto veçse përballjen me padrejtësitë e të gjitha natyrave në këto vite të tranzicionit, të mbushura me intriga, me epshe dhe pasione politike e korruptive për të eliminuar kundërshtarin reciprokisht brenda dhe jashtë llojit.
Për ne juristët e vjetër, të formuar si profesionistë në shkollën e Luan Omarit, Nazmi Pezës, Aleks Luarasit, Kleanthi Koçit, Grigor Gjika etj., aksioma “më mirë njëqind fajtorë jashtë, sesa një i pafajshëm brenda”, ka mbetur si moto dhe në thelbin e formimit tonë profesional. Ligji mbi gjithçka!
(Janar 2020)