Opinionin paraprak të Komisionit të Venecias për Kodin Zgjedhor nënkryetari i LSI, Petrit Vasili e lexon si një “shuplakë” për mazhorancën.
Në një lidhje me “Skype” për edicionin e lajmeve në “Vizion Plus”, Vasili u shpreh se shumica po bën pazar me parimet.
“Komisioni i Venecias flet qartë dhe thotë që ka qenë një procedurë e njëashme, jashtëzakonisht e nxituar.
Kemi të bëjmë me një procedurë që është antidemokratike, antkikushteteuese dhe tërësisht e njëanshme, shënohet precedenti i parë që partia në pushtet dhunon rregullat e lojës.
Kjo është një çeshtje të bësh në pazar me parimet. Të gjitha parimet aty janë shtylla që mbajnë demokracinë, të respektosh Kushtetutën, të mos jesh i njëanshëm, palët të jenë të barabarta”, deklaroi nënkryetari i LSI.
I pyetur nga gazetari Aleksandër Furxhi nëse pret një reflektim nga ana e mazhorancës pas opinionit, Vasili tha se diçka e tillë nuk ndodh.
“Nuk prisja që edhe pas ardhjes së opinionit do të kishim një mazhorancë që do të kthehej në Parlament dhe do të reflektonte. Kemi patur edhe raporte të tjera nga Komisioni i Venecias dhe mazhoranca nuk ka reflektuar”, tha ai!
Ekspertët e Venecias në opinionin e tyre paraprak rekomanduan që Kodi Zgjedhor të mos ndryshojë para zgjedhjeve të 25 prillit.
Ky rekomandim i mbyll derën kërkesës së opozitës për të rikthyer koalicionet sipas modelit të vjetër.
Kujtojmë se Ilir Meta ende s’e ka komentuar draftin paraprak të publikuar prej dy ditësh.
/a.r