Kursi që po ndjek Gjermania kundër pandemisë së koronavirusit me ndalimin e rreptë të kontakteve si dhe me mbylljen e institucioneve kulturore dhe argëtuese do të vazhdojë deri më 10 janar.
Gjendja është e “papranueshme”
Kryeministri i Bavarisë, Markus Söder tha: „Ne nuk mund ta pranojmë kështu këtë situatë”. „Eshtë e rëndësishme dhe e drejtë, që t‘i shtyjmë deri më 10 janar masat me kufizime të pjesshme”. Söder madje sinjalizoi mundësinë për kufizime edhe më të forta. Në varësi nga zhvillimi i pandemisë duhet të shqyrtohet, nëse në vende të caktuara „duhet vepruar qartazi dhe me konsekuencë edhe më në detaje”. Ndër masat kufizuese janë ndalimi i kontakteve, mbyllja e lokaleve, e institucioneve kulturore dhe sportive si dhe kufizimi i udhëtimeve.
Përgatitje intensive për vaksinën
Federata dhe landet duan të përgatiten për fillimin e shpejtë të vaksinave ndaj koronavirusit. Licencimet e para të vaksinave në BE mund të fillojnë në fund të dhjetorit, tha Merkel. Ndaj është e rëndësishme, që përgatitjet të vazhdojnë në shkallë të gjerë. Në lande po bëhen pëpjekje të mëdha për krijimin e qendrave përkatëse të vaksinimit. Kjo shoqërohet me një „rakordim të hollësishëm” në përcaktimin e rendit të vaksinimeve nga një komision i përhershëm. Mbi këtë bazë Ministria e Shëndetësisë do të nxjerrë një rregullore, shpjegoi kancelarja.
Instituti Robert Koch-Institut (RKI) brenda 24 orëve të fundit njoftoi për 487 raste vdekjesh nga koronavirusi. Kjo është shifra më e lartë ditore që nga fillimi i pandemisë. Gjithashtu në Gjermani vazhdon të ketë shumë të infektuar. Gjatë ditëve të fundit ka pasur një rënie të ulët të infeksioneve të reja, por efekti i shpresuar prej kufizimeve të pjesëshme ende nuk është ndjerë./DW
g.kosovari