Kuvendi pritet që sot të votojë përbërjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për raportin e Dick Marty-n.
Nga shumica parlamentare mësohet se anëtarë do të jenë deputetët Ulsi Manja, Alket Hyseni, Klotilda Bushka, Adnor Shameti dhe Ermonela Felaj. Nga opozita do të marrin pjesë në Komision Myslim Murrizi, Edmond Stojku, Enver Roshi dhe deputetja e pavarur Elena Xhina.
Me 83 vota pro, 10 kundër dhe 10 abstenim, Kuvendi miratoi të enjten e kaluarngritjen e Komisionit të Posaçëm për pretendimet në raportin e Dick Marty për luftën në Kosovë, që implikonte UÇK-në.
Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, i cili është edhe propozuesi i ngritjes së këtij Komisioni të Posaçëm tha në Kuvend se qëllimi nuk është hetimi i kryedemokratit Lulzim Basha.
Komisioni do të hartojë një raport të detajuar përmbledhës dhe informues për të gjitha këto çështje dhe t’ prezantojë Kuvendit brenda një afati 3 mujor dhe për ta bërë këtë do t’i vihet në dispozicion dokumentacioni i plotë që disponojnë institucionet publike sipas ligjit në fuqi lidhur me dokumentacionin zyrtar dhe atë të klasifikuar.
Ndër të tjera në Kuvend do të diskutohet dhe dekreti i Presidentit Meta për kthimin e ligjit për policinë e shtetit.
Rendi i ditës në Kuvend:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 26.11.2020
2. Njoftimi i çështjeve të depozituara në Kuvend për shqyrtim
3. Projektligj “Për një ndryshim në ligjin nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar””.
4. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për Programin për Zhvillimin e Turizmit dhe Infrastrukturës në Shqipëri”. (Neni 121 i Kushtetutës dhe nenet 55 dhe 73-77 të Rregullores, shumicë absolute votash për miratim)
5. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin për reagimin ndaj emergjencës COVID-19 në Shqipëri”. (Neni 121 i Kushtetutës dhe nenet 55 dhe 73-77 të Rregullores, shumicë absolute votash për miratim)
6. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes “Për bashkëpunim ekonomik” ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”. (Neni 121 i Kushtetutës dhe nenet 55 dhe 73-77 të Rregullores, shumicë absolute votash për miratim)
7. Dekret i Presidentit të Republikës nr. 11.841, datë 20.11.2020 “Për kthimin e ligjit nr. 133/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar””. (Neni 85 i Kushtetutës dhe nenet 86 dhe 73-77 të Rregullores. Dekreti humbet fuqinë e tij kur kundër tij votojnë shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit)
8. Projektvendim “Për miratimin e përbërjes së komisionit të posaçëm të Kuvendit “Për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti përmbledhës dhe informues mbi gjetjet dhe konkluzionet që kanë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri mbi çështjet e raportit të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Dick Marty mbi bashkëpunimin dhe rolin për të cilin pretendohet se kanë luajtur, përfaqësues politikë shqiptarë ose institucione publike shqiptare, nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve, në ndihmë të së ashtuquajturës veprimtari kriminale e drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në territorin e Republikës së Shqipërisë”.
9. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (60’).