Presidenti Donald Trump foli gjatë një pritjeje për krishtlindjen në Shtëpinë e Bardhë, për katër vite të tjera të tij në detyrë, pa saktësuar nëse ato do të fillojnë në janar 2021 apo në janar 2025.
“Kanë qenë katër vite të jashtëzakonshme”, tha Trump në sallën e mbushur me shumë njerëz, shumë prej të cilëve nuk mbanin maska, pavarësisht udhëzimeve të zyrtarëve të shëndetësisë në mesin e pandemisë së koronavirusit.
“Ne po përpiqemi të qëndrojmë edhe katër vite. Përndryshe, mirupafshim pas katër vitesh”. Edhe një herë Trump insistoi se ai i kishte fituar zgjedhjet. Ai po ashtu pyeti nëse njerëzit po i ndiqnin seancat për manipulimin të ndërmarra nga ekipi i tij ligjor duke iu referuar aktivitetit të avokatit të tij, Rudy Giuliani që po tenton të sfidojë rezultatet e zgjedhjeve. “Sinqerisht, kjo është një fatkeqësi”, tha Trump.
Trump humbi në zgjedhjet e muajit të kaluar por nuk e ka pranuar ende rezultatin, edhe pse administrata e tij ka lejuar tashmë fillimin e tranzicionit presidencial. Një këshilltar i Trump tha për CNN se është diskutuar edhe për një tjetër event në të cilin presidenti do të marrë pjesë, rreth ditës së inaugurimit. Trump pritet të lërë të kuptohet se ai do të rikandidojë në 2024, duke lënë hapur derën për një fushatë rikthimi.
CNN kishte raportuar madje muajin e shkuar se njerëz pranë Trump thonë se presin që presidenti të flasë për rikthim në 2024 kur ai të pranojë zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve. Sipas tyre, këtyre burimeve Trump do të denoncojë zgjedhjet e 2020 si të manipuluara dhe do të lërë të kuptohet se ai do të kandidojë sërish pas katër vitesh./a.p