Kombinati ka nisur prishjet e pallateve të vjetra, të cilat janë zbrazur nga banorët që janë sistemuar me bonus qeraje e do të vijojnë me qeranë e paguar nga shteti, deri kur të ndërtohen apartamentet e reja.
Kryeministri Edi Rama sot ka inspektuar prishjen e pallateve nga ku u ka premtuar qytetarëve se do të marrin një për një shtëpitë e reja me gjithë truall.
“Ajo që them unë nuk është mendja ime është një shtet i tërë që merret me këtë punë. Kush ka biznes do marri biznes. Ke x metra katrorë farmaci do marrësh x metra katrorë. Të gjithë komplet do marrin me firmë dhe vulë biznesin”, tha Rama.
Një merak i qytetarëve ishte dhe se sa shtëpi do marrin ata që kanë më shumë se një kurorë. Rama u premtoi se do të marrin shtëpi në varësi të kurorës, ndërsa ka dhënë këtu edhe shembullin e Farkës.
“Nëse je me 6 kurora në një shtëpi do marrësh 3 shtëpi. Nuk e bëj unë këtë është me ligj. Dhe po të them një shtëpi e shembur. Shko në Farkë, kryetari i PD thotë kishin një shtëpi 4 kurora tani kanë katër shtëpi. Ik shko e shife është e vërtetë”, tha Rama.
Pas premtimit të Ramës, qytetari i tha se nëse e bën këtë ai është i fituar në Kombinat në zgjedhjet e ardhshme. “Nëse e bën këtë je i fituar në Kombinat nëse s’e bën je i humbur”, tha ai.