Këngëtarja britanike me prejardhje shqiptare, Rita Ora, ka kërkuar falje të hënën për shkelje të rregullave të izolimit duke mbajtur festë për ditëlindje.
Ajo ka thënë se shkelja ka qenë “gabim serioz dhe i paarsyetuar”.
E përditshmja Sun ka publikuar disa fotografi të Oras dhe të tjerëve, duke përfshirë modelet Cara dhe Poppy Delevingne, duke arritur në restorantin Cas Cruz në Londër, ditën e shtunë.
Sipas rregullave aktuale të izolimit, të cilat përfundojnë të mërkurën, të gjitha restorantet dhe baret duhet të jenë të mbyllura, përveç shërbimit “merr me vete” apo dërgesave në shtëpi.
Banorëve të Britanisë u është ndaluar edhe që të takohen në ambiente të mbyllura me pjesëtarë të familjes.
Ora ka thënë në Instagram se ajo ka organizuar “një takim të vogël me disa miq për të festuar ditëlindjen e 30-të”.
“Ka qenë vendim i nxituar, që është bërë me mendimin se po dalim nga izolimi dhe një gjë e tillë do të jetë në rregull”, ka shkruar ajo.
Ajo ka thënë se tani e kupton “sa të papërgjegjshme kanë qenë veprimet e saj dhe se ajo merr përgjegjësi të plotë”.
Raportimet për këtë festë kanë nxitur kritika.
I pyetur për këtë organizim, Jamie Davies, zëdhënësi i kryeministrit britanik, Boris Johnson ka thënë se “është e rëndësishme që secili në shoqëri të vendosë shembuj, duke respektuar rregullat. Kjo vlen për secilin anëtar të publikut, duke përfshirë personat e famshëm”.
Britania e Madhe ka regjistruar mbi 58,000 viktima me koronavirus, njëherësh shifrën më të lartë të të vdekurve në Evropë, deri më tani./a.p