Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Milkjor Gjoka, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Ridvan (Hyseni) Ramazanit në fshatin Mushan të njësisë Dajç në Shkodër.
Ndërkohë gjykata ka dhënë masën lehtësuese “detyrim me paraqitje” për dy dëshmitarët, Blerim Mlloja dhe Marjeta Gramshi, të arrestuar për “moskallëzim krimi” si dëshmitarë në vrasjen e 46 vjeçarit.
Ka qenë vetë prokuroria që kërkoi masën detyrim paraqitje për dy dëshmitarët, ndërsa për Milkjor Gjokën organi i akuzës kërkoi arrest me burg, masë të cilën e dha gjykata.
Nga ana e tij, Milkjor Gjoka deklaroi se ai nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e ndodhur, duke mohuar akuzat. Ai u shpreh se ka qenë rastësisht në vendin e ngjarjes, në vendin e gabuar dhe në momentin e gabuar, duke mohuar se ka bashkëpunuar me vëllezërit Mehmedaj, të cilët dyshohen si autorë të vrasjës së Ridvan Hysenit, i njohur ndryshe si Ridvan Ramazani.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur të shtunën e 28 nëntorit, ku 46-vjeçari Ramazani është ekzekutuar me armë zjarri brenda makinës së tij, tip “BMW” pranë një karburanti në fshatin Mushan të Shkodrës.
/a.r