Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka nxjerrë ish-deputetin Gent Strazimiri në terren për të xhiruar një video reportazh për tërmetin.
Ai ka denoncuar qeverinë dhe institucionet përgjegjëse për rindërtimet pas tërmetit të 26 nëntorit se po vonohet ky proces.
“Dokumentet zyrtare provojnë se qytetarët e prekur nga tërmeti nuk do të hyjnë dot në shtëpitë e tyre, të paktën deri në korrik të vitit 2022. Pra edhe dy vjet të tjera pa shtëpi. Për të kuptuar se sa kanë zvarritur situatën, mjafton të përmendim se 6 muaj pas tërmetit Bashkia e Tiranës nuk kishte akoma vlerësimin e saktë të banesave individuale të banesave që do të duhej të ndërtoheshin. Në këto shtëpi Erion Veliaj ka qenë, xhiroi momentin e tij të minutazhit dhe nuk u duk më“, tregon demokrati.
Strazimiri thotë se qeveria po bën propagandë me video dhe fotografi.
“Paratë janë aty, plot 17 milionë euro të tenderuara për 889 banesa individuale. Por arsyeja përse nuk po vazhdojnë punimet janë zgjedhjet e vitit tjetër, e gjithë kjo për propagandën e tyre, për foto gjatë fushatës, për t’i hedhur hi syve shqiptarëve.”
Edhe pse akuzon për spektakël, Strazimiri zgjedh të bëjë po të njëjtën gjë me videon e tij ku janë përdorur droni, kamerat e cilësisë së lartë si dhe efektet kompjuterike për ta bërë materialin filmik sa më prekës.
/a.r