Kina do të ndalojë të gjitha importet e mbetjeve të ngurta që nga 1 janari 2021, njoftuan autoritetet përkatëse.
Hedhja, grumbullimi dhe asgjësimi i mbetjeve nga jashtë në territorin kinez do të ndalohen gjithashtu, sipas një njoftimi të përbashkët nga Ministria e Ekologjisë dhe Mjedisit, Ministria e Tregtisë dhe Administrata e Përgjithshme e Doganave.
Ndalimi i plotë është kulmimi i politikave të nisura që nga viti 2017 për të ndaluar gradualisht importin e mbetjeve të ngurta. Kështu, në fund të vitit 2017 Kina ndaloi importimin e 24 llojeve të mbetjeve të ngurta, duke përfshirë letrat e pakategorizuara e tekstilet.
Kina e filloi importimin e mbetjeve të ngurta si një burim i lëndëve të para në vitet ’80 të shekullit të kaluar dhe për vite me radhë ka qenë importuesja më e madhe e tyre në botë, me gjithë kapacitetin e vet të kufizuar në trajtimin e mbeturinave. Disa kompani sollën në mënyrë të paligjshme mbetje të huaja në vend për përfitime, duke përbërë një kërcënim për mjedisin dhe shëndetin publik.
Me ndërgjegjësimin në rritje të publikut për çështjet mjedisore dhe suksesin e zhvillimit të gjelbër të Kinës, importet e mbetjeve të ngurta janë ulur ndjeshëm. Vitin e kaluar ato ishin 13.48 milionë tonë, nga 22.63 milionë tonë në 2018-n. Në dhjetë muajt e parë të këtij viti, importimi i mbetjeve të ngurta prej Kinës ra me 42.7 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.