Sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale të Gjermanisë, Anette Kramme, në një bisedë me “Deutsche Welle” përsëriti edhe një herë atë që zyrtarët e lartë gjermanë nuk kanë ngurruar ta bëjnë të qartë në më shumë se një rast: shqiptarët nuk kanë mundësi për azil politik.
Por nga viti që vjen, Berlini do t’i hapë rrugë lëvizjes së ligjshme të fuqisë punëtore nga Ballkani drejt Gjermanisë. 2016-a, pohon Kramme, do të shënojë hapjen e tregut gjerman të punës për shtetasit e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Sipas propozimeve të tanishme, parashikohet që nga këto vende, të pranohen rreth 20.000 punëtorë në vit. Ligji i ri do të jetë i vlefshëm deri në 2020, kur do të bëhet rivlerësimi i tij.
“Prej këtyre rregullave mund të përfitojë Gjermania, por edhe vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, thotë zyrtarja e ministrisë gjermane të Punës.
E pyetur nga “Deutsche Welle”, se çfarë do të ndryshojë më konkretisht me ligjin e ri, Kramme jep këtë përgjigje:
“Deri tani jemi në situatën ku emigrantët mund të vijnë në Gjermani vetëm nëse kanë ndonjë kualifikim të posaçëm. Ose kategorizohen si akademikë dhe mund të vijnë përmes Blu Card-it. Kjo është mundësia e parë. Mundësia tjetër është për personat me një profesion të caktuar, për të cilin rezulton se ka mangësi në Gjermani. Ne tani do ta hapim tërësisht tregun e punës për të ardhurit nga Ballkani, por me kushtin e parë absolut që të ketë një vend pune vakant”.
Kushti tjetër është që për këtë të japë pëlqimin edhe Agjencia Federale e Punës, e cila të sigurojë, se për vendin në fjalë nuk ka ndonjë kandidat nga Gjermania apo nga shtetet e tjera të Bashkimit Evropian. Ndërkohë që kushtet e punës duhet të jenë të barabarta.
Sa i përket problemit që kanë qytetarët e Kosovës me vizat, si i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk gëzon lirinë e lëvizjes pa viza në BE, Kramme thekson se në këtë rast, autoritetet gjermane do të mundësojnë lehtësimin e procedurës së dhënies së vizave, e cila do të jetë më e shpejtë dhe më e thjeshtë.