Një vit më parë, orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit, nëntoka u ‘tund’ duke shënuar një prej tërmeteve më të fuqishme në historinë e vendit. 51 persona ndërruan jetë të bllokuar nën rrënojat e gaodinave që nuk i rezistuan dot tërmetit, ndërsa mijëra të tjerë mbetën të plagosur, megjithatë ende në jetë.
Epiqendra e tërmetit 6.4 të shkallës Rihter, ishte në Durrës. Fillimisht vendi u godit nga një valë më pak e fuqishme për t’u ndjekur nga një tjetër që u ndje në gjithë vendin dhe përreth. Qindra godina u shembën duke zënë poshtë qytetarë, pak prej të cilëve ishin aq me fat saqë t’i mbijetonin orëve të tëra në mungesë oksigjeni dhe peshë mbi trupat e tyre.
Solidariteti i vëllezërve, fqinjve dhe miqve nuk mungoi. Kosova, Italia, Greqia, Turqia, Franca e shumë vende të tjera sollën në Shqipëri ekipe të kërkim-shpëtimit që për ditë me radhë kërkuan nën rrënoja për trupat e viktimave.
Familja më e dëmtuar nga lëkundjet e tokës, ishte ajo e Albert Carës. Kryefamiljari është personi i vetëm që i shpëtoi rrënimit të godinës ku jetoi prej vitesh, por humbi 9 anëtarët e familjes. Albert Cara, nga Thumana dëshironte që të qëndronte vetë pranë forcave speciale teksa gërrmonin nën rrënoja, por edhe gjendja e tij u përkeqësua, ndaj u dërgua në Itali për mjekim më të specializuar. Për disa muaj, Cara qëndroi jashtë vendit me idenë se kur të kthehej do të takohej me fëmijët e tij dhe me bashkëshorten.
Ndërkohë që ditët dhe muajt kanë kaluar, vendi ka nisur nga puna për shërimin e plagëve të shkaktuara. Në një konferencë donatorësh, qeveria europianë vendosi që të japë 1,15 miliardё euro tё mbledhura nё formё grantesh dhe kredishë për procesin e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit. Puna në disa kantiere ndërtimi ka nisur, ndërkohë që kryeministri Edi Rama premton se të gjithë të prekurit do të futen në banesat e tyre të reja natën e ndërrimit të viteve.
Gjurmët e nate të 26 nëntorit të vitit të kaluar janë në kujtesën e kujtdo, që sot pas një viti kujton se jeta dhe vdekja ndahen me pak sekonda.
g.kosovari