Nga Artur Ajazi
Lulzim Basha, kryetari aktual i Partisë Demokratike, një prej politikanëve më rastësorë të këtij vendi, nuk mbahet mënd sa beteja ka humbur. Ose më mirë, nuk mbahet mënd cilën betejë ka fituar me kundërshtarin e tij politik Edi Rama. Ka afro 8 vite, që i shpall “luftë” me çadra dhe me truma njerësish qeverisë, ministrave, konçesioneve (edhe pse qeverisja e tij bëri namin) biznesmenëve, mjekëve, teknicienëve, ish-aleatëve, ambasadorëve, kancelarëve, dhe së fundi në kohë pandemie, i ka shpallur luftë imagjinare edhe krizave. Ai është në ajër, ai nuk e njeh realitetin, ai nuk ka gjasa ta prekë dhe zgjidhë problemin, përsa kohë mendon dhe jeton vetëm për pushtetin.
Njeriu që ka për këshilltar kunatin, apo dhe për kumbar Doktorin, nuk ka se si të fitojë beteja politike. E vetmja gjë ku Lulzimi “fiton” është presioni me anë të postit të kryetarit të Partisë Demokratike, dhe mendoj se nuk ka dalë keq. Kjo sepse në kohë pandemie dhe në kohë krize, ai ka sot vila dhe pasuri të 5 fishuara, sepse në kohë pandemie ai ka sot luksin të dalë në çdo ekran televizioni, dhe të shpifë, inskenojë dhe akuzojë qeverinë dhe kryeministrin, vetëm e vetëm sepse i duhen ca vota më shumë. Ke humbur shumë beteja Lulzim, ke humbur shumë beteja, duke nisur nga postet e pamerituara që të ka dhënë dikur Doktori në qeverisje, duke vazhduar me postin e kryetarit të bashkisë së Tiranë, ke humbur betejën e zgjedhjes së drejtë me vota të lira të kryetarit të partisë, ke humbur betejën me Edi Ramën, ke humbur 4 palë zgjedhje dhe po bëhesh “hazër” të humbësh edhe zgjedhjet e 25 Prillit 2021, ke humbur betejën për rrëzimin e qeverisë dhe kryeministrit me bomba molotovë, ke humbur betejën e diskreditimit të vendit tënd në kancelaritë e Europës, ke humbur betejën e pengimit të hapjes së negociatave me BE, ke humbur betejën e pengimit të rindërtimit të qyteteve dhe fshatrave të dëmtuara nga tërmeti, dhe së fundi, ke humbur betejën më të palavdishme për ty, atë të dekurajimit të mjekëve dhe shqiptarëve për përballimin me sukses të kësaj pandemie.
Janë shumë vërtetë, shumë beteja të humbura, aq sa një politikan i europian,do të ishte larguar me kohë nga skena dhe përballja politike. Por kjo duket se nuk ka shumë rëndësi, pasi kryesore për ty zoti Basha janë 3-P-të, pushteti, paraja dhe partia. Gjithsesi këto 3-P-të, i ke të sigurta edhe për nja 3 mandate të tjera qeverisje, veç këtij që po mbyll Edi Rama. Shumë beteja ke humbur Lulzim shumë, aq sa do të mjaftonin të largoheshe me nder nga Partia Demokratike, dhe ti hapje rrugën ribashkimit dhe rifreskimit të asaj force politike, e cila është kthyer në “koncesion” të përjetshëm për ty dhe kastën tënde.