Numri i të prekurve dhe të shtruarve nëpër spitale shënon rritje, kurse kapacitetet e spitaleve po zvogëlohen. Janë afro 1300 pacientë që po trajtohen nëpër Covid-spitalet e vendit, ka njoftuar MSH-ja. Mjekët që për çdo ditë janë në vijën e parë të betejës antiCovid, përmes një video-mesazhi alarmuan se kapacitetet e spitaleve po mbushen, kurse gjithnjë e më e vështirë bëhet dinamika e shërimit dhe pranimit të pacientëve të rinj.
Vetëm gjatë ditës së sotme, autoritetet e shëndetësisë në vend njoftuan se 474 pacientë trajtohen në Covid-spitalet e Shkupit, ku pjesa më e madhe e tyre janë me oksigjeno-terapi.
Shtabi kryesor që vepron në gjendje krize pas një takimi, ka kërkuar që Armata të kyçet në mbrojtjen dhe sigurimin e kapaciteteve spitalore si dhe t`i ndihmojë policisë në sigurimin e objekteve vitale. Siç u tha, kjo do të jetë pjesa kryesore e planit aksional.
“Në shikim të parë, armata në sektorin civil, tingëllon vrazhdët, por Armata do t`u ndihmojë qytetarët, do t`i sigurojë spitalet. Armata nuk do të shëtisë me armë nëpër rrugë. Nuk e dimë numrin e saktë, duhet të bëhet plani se sa spitale duhet të sigurohen”, tha Stojançe Angelov, drejtor i Qendrës për Menaxhim me Kriza.
Maqedonia e Veriut është duke përfunduar javën ku janë shënuar shifra rekorde të infektuarish dhe viktimash. Nga e hëna deri të shtunën janë shënuar 6591 raste të reja dhe 182 viktima si pasojë e COVID-19.
/a.r