Ermonela Jaho, me sy të mbushur me lot, solli zjarr të jashtëzakonshëm tingullor dhe “ishte mahnitëse në rolin kryesor”. Duke krijuar vazhdimisht ndjesinë se po e përjeton muzikën, Jaho ka arritur që t’i krijojë vetes epitetin e një prej interpretueseve më të mira të “verismo” (stil i kompozitorëve të kohës së postromantizmit që në italisht do të thotë realizëm), shkruan “Koha Ditore”.
Kështu e ka vlerësuar e përditshmja britanike “The Guardian” prezantimin e sopranos shqiptare, në rolin e Zazas, operën me po të njëjtin emër të kompozitorit Ruggero Leoncavallo. Ajo u ngjit në skenë të premten mbrëma në “Barbican Centre” në Londër, për atë që mediet e huaja e konsiderojnë “performancë brilante”. Stephen Gaertner, një tjetër artist i mrekullueshëm, i kalibrit të Jahos, ishte në rolin e Cascartit, ndërsa Riccardo Massi në rolin e Milios. “The Guardian” ka vlerësuar edhe paraqitjet në rolet e vogla.
“Edhe rolet e vogla ishin të mrekullueshme”, shkruan e përditshmja britanike. Aty po ashtu thuhet se intensitetin e këtij koncerti veç sa e shtoi edhe dirigjenti i Orkestrës Simfonike të BBC-s, Maurizio Benini. Në përshkrimin që i është bërë operës “Zaza” nga “The Guardian”, thuhet se ajo është performuar për herë të parë në Milano në vitin 1900, dhe se është vepër më e mirë se opera “Pagliacci”.
Zaza, këngëtarja me zemër të ngrohtë, këngëtare në një sallë muzikore në një provincë të Francës, bie në dashuri me biznesmenin parisien Milio. Ajo është e pavetëdijshme se ai është i martuar. Këtë e merr vesh vetëm kur takohet me bijën e tij, Toto, dhe e kupton se nëse e shkatërron këtë martesë do t’ia shkatërrojë fëmijërinë vajzës njëjtë siç ka bërë babai i saj kur e kishte braktisur. Por, sipas së përditshmes britanike, kah pjesa e dytë e operës ndodh një ndryshim.
“Natyra e kobshme e Milios zbulohet nga fundi, sepse në fillim paraqitet si figurë enigmatike dhe kjo bën që publiku në fillim të mos i kuptojë qëllimet e tij. Është pak e çuditshme përse Zaza nuk lidhet me ish-të dashurin e saj Cascart, i cili tani është partneri skenik dhe miku më i mirë i saj. Por ndodh një shpërthim i mrekullueshëm, ku protagonistët gradualisht shkëpusin veten nga një përshkrim i bukur i jetës teatrale. Ndërsa në pjesën e dytë janë vuajtjet emocionale të Zazàs që t’i mbushë sytë me lot”, shkruhet aty. Për performancën e Jahos dhe operën “Zaza” ka shkruar edhe portali online për art “theartsdesk”.
“Duke e forcuar me një sens të indinjatës së zjarrtë dhe me zë lirik që vjen në stil të vërtetë italian, të cilin nuk e kemi dëgjuar që nga koha e Angela Gheorghiu dhe Anja Harteros, sopranoja shqiptare Ermonela Jaho duket e befasuar me atë që ka arritur”, shkruan “theartsdesk”, për sopranon shqiptare, e cila pas performancës së saj në rolin e Violettas, nga kritikët francezë ishte vlerësuar si “zbulim” i ri. Që nga ajo kohë Jaho u ngjit në skena siç janë ato të “Royal Opera” në Londër, “Metropolitan Opera” në New York e “Opera de Marseille” në Paris, dhe shumë të tjera.
Me gjithë lëvdatat që mori Jaho në performancën e saj të fundit, mediet e huaja nuk kanë lënë pa përmendur edhe disa lëshime të vogla vokale.