Ish-deputeti dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku, në vitin 2012 ishte emëruar drejtor në Burgun e Sigurisë së Lartë, i cili në atë kohë ishte në ndërtim e sipër. Ai tregon se si duket qelia në të cilën është mbyllur Albin Kurti. Në Tribuna ai ka folur se si e shesh dërgimin e Albin Kurtit në këtë burg. Ka thënë se me kërkesën e tij janë ndërtuar gjashtë qeli për personalitete të larta për zyrtarët e shtetit.
“Unë nuk e kam paragjykuar se kush mund të vendoset në ato qeli, mirëpo secili shtete duhet t’i ketë ato. Dhomat janë shumë më të mëdha dhe është një komoditet më i madh dhe në ato qeli nuk ka të burgosur të tjerë”, ka treguar Maloku.
Maloku ka thënë se gazi lotsjellës i cili po vazhdon të hidhet në seanca të Kuvendit, nuk mund të jetë në duar të personave të paautorizuar, prandaj në këtë rast edhe deputetët e kanë të ndaluar posedimin dhe përdorimin e tij. Maloku ka thënë se Prokuroria dhe Policia kanë bazë të mjaftueshme për arrestimin e deputetëve pasi që ata kanë përdorur gaz brenda objektit të mbyllur. “Gazi përdoret nga policia në raste të pengmarrjes. Për shembull në aeroplan e raste të kidnapimeve të ndryshme, ku urdhri duhet të jepet nga komandantët për përdorimin e tij”, ka thënë Maloku, duke shtuar se hedhja e gazit lotsjellës është vepër penale, e cila ndiqet edhe me Kodin Penal të Kosovës.
Ish-deputeti Maloku ka deklaruar se motivi i përdorimit të këtyre mjeteve (gazi lotsjellës) është politik dhe nuk është motiv për të bërë akte terroriste.