Akuzat e djeshme të kreut të opozitës Lulzim Basha, në lidhje me atë që ai e konsideron si fshehje e numrave të vdekjeve nga Covid në Shqipëri, janë në fakt një temë e nxehtë debati edhe brenda vendeve evropiane. Nën akuzë ka qenë metodologjia e përdorur për të përcaktuar nëse një i vdekur që ka dalë pozitiv me Covid 19, duhet të konsiderohet si viktimë e virusit apo e diagnozave të tjera më të vjetra që kishte në trup.
Tre ditë më parë, në emisionin televiziv “L’aria che tira”, infektologu i njohur italian Matteo Basseti pretendonte se Italia ka bërë gabim të madh në muajt mars-prill, kur ka konsideruar si vdekje Covid, çdo person që ndërronte jetë me virusin në trup, paçka se shkaku i vdekjes mund të ishte krejt tjetër.
“Ne kemi qenë gabim kur kemi numëruar vdekjet në një mënyrë tjetër nga pjesa tjetër të Evropës. A duam të vazhdojmë në gabim? Meqenëse kemi ndryshuar metodologjinë e numërimit të vdekjeve Covid, ne jemi duke e ulur në mënyrë dramatike numrin e vdekshmërisë, por ne kemi një mëkat origjinal që ka të bëjë me muajt Mars-Prill, kur kushdo që mbërrinte në spital me një tampon pozitiv, edhe nëse kishte një atak në zemër, kualifikohej si i vdekur nga Covid 19”, shprehet Basseti.
Është i njohur fakti që Italia, në ndryshim nga vende si Gjermania, ka pasur një metodikë krejt të ndryshme në kalkulimin e vdekjeve Covid, e kjo ka bërë që numrat e Gjermanisë të jenë shumë më të ulët sesa në rastin italian.
Pa hyrë në thelbin e akuzave të kreut demokrat, duhet parë se cila është metodologjia e përcaktimit të vdekjeve Covid në Shqipëri, pasi mjekë të ndryshëm, që mund të kenë ofruar edhe të dhënat e djeshme për Lulzim Bashën, mund të kenë metoda dhe kritere të ndryshme në përcaktimin e shkakut të vdekjeve./Javanews/