Përmes një aktiviteti të zhvilluar nga Kryeministria, ka nisur gara ndërkombëtare për një tjetër Park Fotovoltaik, të Spitallës, në zonën e ish-kënetës së Durrësit. Ky është parku i dytë pas atij të Karavastasë.
Gjatë fjalës së tij kryeministri Edi Rama, deklaroi se me Parkun e Ri Fotovoltaik të Spitallës, në zonën e ish-kënetës së Durrësit, do të krijohet një mundësi për zhvillimin e ekonomisë dhe se do t’i jepet më shumë hapësirë turizmit.
Gjatë fjalës së tij Rama theksoi se është konkluduar marrëveshja me Emiratet e Bashkuara për lagjen e re në zonën e Spitallës: “Kemi konkluduar marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara për lagjen e re në zonën e Spitallës për pallatet e reja që do të ndërtohen. Është vendosur që do të ndërtohen po aty ku kanë qenë pas goditjes që morën më 26 nëntor”, u shpreh ai.
Rama e cilësoi hapjen e ankandit një event shumë të rëndësishëm sepse lidhet drejtpërdrejtë me zhvillimin e një zone që ka gravitet strategjik për ekonominë dhe turizmin, asaj të Durrësit.
“Ky park është pjesë e një mozaiku që jetëson vizionin tonë për Durrësin e 2030 dhe patjetër vizionin tonë për Shqipërinë e 2030 sepse në këtë zonë që ka qënë e parë si periferi ku ka pasur hapësirë vetëm për ndërtime kaotike të atyre që kanë lëvizur nga zonat më të thella drejt qëndrave urbane, faktikisht, me këtë park ne po bëjmë vetëm hapin e parë. Hapat e tjerë fillojnë me lagjien e re të rindërtimit, shkollat e reja që po ndërtohen, dhe ndërkohë porti i ri i mallrave për të cilin gara do të hapet së shpejti, për t’i hapur rrugën transformimit të portit të vjetër, aktual në një port turistik, për të tërhequr më shumë turistë dhe për të krijuar një kategori tjetër të turizmit, turizmin elitar”, tha Rama.
Parku Fotovoltaik i Spitallës do të ketë një kapacitet të instaluar prej 100 Mw, nga të cilat: 70 Mw do të blihen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nëpërmjet një kontrate për blerjen afatgjatë të energjisë me çmim të paracaktuar. Pjesa tjetër, 30 Mw do të mund që të tregtohen në treg të lirë.
g.kosovari