Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg, për Fatmir Hoxhajn, i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e Ahmet Toskës në 26 tetor në Fier.
Gjatë seancës, 52-vjeçari pretendoi se atë ditë është ngritur nga gjumi në orën 08.00 të mëngjesit, ndërkohë që vrasja ka ndodhur në orën 06.00.
“Atë ditë jam ngritur nga gjumi në orën 8. Nuk ka prova që jam unë autori”, ka deklaruar ai para gjykatësve, duke mohuar krimin.
Në hyrje të gjykatës ndodheshin familjarët e tij, të cilët i kanë folur të ndaluarit italisht dhe shqip, pasi jetojnë në Itali. Gjatë daljes nga gjykata, i shoqëruar nga forca të policisë, ai ka theksuar: “Jam i pafajshëm”.
Në datën 26 tetor, në lagjen “Sheq i Madh” në Fier, në orën 06:00 të mëngjesit, Ahmet Toska 50 vjeç, u ekzekutua me armë zjarri, teksa po shoqëronte gruan e tij për në punë.
Ngjarja ndodhi pranë banesës së tij dhe autori fill pas krimit u largua nga vendngjarja. Viktima u qëllua me dy plumba, ku njëri prej tyre e ka kapur në kokë.
Ndërsa autori i dyshuar i krimit, ka jetuar në Itali dhe vetëm para pak ditësh është rikthyer në Shqipëri, në 25 nëntor, ditën që u arrestua. Sipas burimeve policore, ata nuk njihen me njëri-tjetrin, edhe pse janë komshi në të njëjtën lagje.
Megjithatë, burimet pranë organit të hetimit, bënë të ditur se shkak i ekzekutimit të Toskës mund të jetë bërë gruaja me të cilën bashkëjetonte prej vitesh Fatmir Hoxhaj.
Mësohet se gruaja me të cilën ky i fundit bashkëjeton, ka qenë më herët edhe partnerja e Ahmet Toskës (bashkëjetuesja).
50-vjeçari Ahmet Toska dhe ajo ishin ndarë disa vite më parë dhe pas ndarjes edhe Toska edhe ish-gruaja e tij kishin ndërtuar jetë të re me partnerë të tjerë.
/a.r