Edhe pse kanë kaluar më shumë se 2 javë nga dita kur veliera me 4 shtetas rusë dhe ukrainas, u ndalua në Vlorë dhe mjeti lundrues u bllokua në Triport, ende nuk ka ndonjë përgjigje rreth fatit të shtetasve të huaj.
Kapiteni i anijes”, Dmitriy Nikulin, kërkon një zgjidhje.
“Shpresojmë që hetimet do të mbyllen sa më parë, nuk e dimë pse po zgjasin kaq shumë. Ne nuk jemi fajtorë dhe kemi nevojë t’i kthehemi jetës normale, sa më shpejt të jetë e mundur.
Duam të na jepen pasaportat. Kemi kontaktuar me konsullatën e vendit tonë. Konsulli ka tentuar të informohet mbi situatën por deri tani nuk ka asnjë të dhënë mbi çështjen”, deklaron ai për A2.
Në momentet e para të ndalimit, më 30 tetor, Nikulin u tha autoriteteve shqiptare se ishin nisur nga Turqia drejt Malit të Zi, por moti i keq i kishte detyruar të devijonin. Ai jep shpjegime rreth pronarit të velierës.
“Veliera nuk është e jona. Është në pronësi të një shtetase ruse dhe më herët në pronësi të një familjeje gjermane që jetonte në Turqi. Nuk jam në dijeni të ndonjë problemi me ligjin të anijes më herët”, vijon ai.
Burimet saktësuan se çështja është referuar në Prokurori nga ana e policisë dhe po kryhen procedurat për verifikimin e dokumentacionit që kanë paraqitur shtetasit rusë dhe ukrainas, ndërsa rasti është referuar për veprën penale të kalimit të paligjshëm të kufirit.
Në çastet e para të ndalimit, kapiteni tha se sipas ligjit detar, në rast të motit të keq, mund të ndalosh në çdo shtet, por prej më shumë se 2 javësh, ai dhe 3 anëtarët e tjerë të ekuipazhit, po enden nëpër Vlorë, me temperaturat në ulje dhe me mungesë parash, duke shpresuar në një përgjigje nga pala shqiptare.