Mijëra mbështetës të Presidentit në detyrë Donald Trump dolën rrugëve të kryeqytetit Uashington për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve të 3 Nëntorit, që nxorrën fitues rivalin e tij.
Manifestimi i madh nisi fillimisht para Shtëpisë së Bardhë e më pas, mbështetësit marshuan drejt Gjykatës Supreme, ku Trump synon të ankimojë rezultatin.
Tubimi u zhvillua në mënyrë paqësore, me përjashtim të disa përleshjeve të vogla në përfundim të manifestimit, kur një grup i vogël aktivistësh anti-racistë u përplajën me grupimet raciste që ishin pjesë e tubimit pro-Trump. 1 person mbeti i plagosur me thikë, ndërsa policia arrestoi 20 të tjerë.
Joe Biden tashmë i ka të sigurta 306 vota në kolegj, një shumicë bindëse teksa në organin më të lartë zgjedhor mjaftojnë 270, për t’u zgjedhur president.
Megjithatë, Trump thotë se rezultatin do ta ankimojë në Gjykatën Supreme, ndërsa e quajti rinumërimin e nisur në Georgia “shpërdorim energjish”, pasi fletët e votimit sipas tij kanë nënshkrime false, por pa dhënë prova konkrete mbi këto akuza.
/a.r