Shqipëria është në një pozicion unik përsa i përket emetimeve të ulëta të gazeve me efekt serë, pasi sektori energjitik është plotësisht i dekarbonizuar dhe afro 1/3 e prodhimit të energjisë bazohet në energji të rinovueshme. Kështu u shpreh Presidenti Nishani, në fjalën që mbajti në samitin e Klimës në Paris.
“Në interesin më të mirë të arritjes së një Marrëveshje globale, Shqipëria si Vend Kandidat në Bashkimin Evropian, do të bëjë përpjekjet maksimale për realizimin e objektivave të përcaktuar në INDC për një Zhvillim të Qëndrueshëm. Gjithashtu, institucionet shqiptare, në linjë me politikat e Bashkimit Evropian, po punojnë për përgatitjen e strategjisë kombëtare për ndryshimet klimatike, planin kombëtar të përshtatjes dhe legjislacionin përkatës në këtë fushë”, – u shpreh Nishani.
Presidenti gjeti rastin që të shprehë edhe njëherë solidaritetin e Shqipërisë drejt Francës dhe viktimave të Parisit të 13 nëntorit. Nishani ritheksoi se Shqipëria do të jetë krah vendeve kundër terrorizmit.
“Përfitoj nga rasti të shpreh edhe njëherë solidaritetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve për parisienët, popullin francez dhe Francën, pas akteve barbare terroriste të 13 nëntorit, duke uruar kapërcimin sa më shpejt të kësaj situate”, – tha Nishani.