Mbështetësit dhe grupet kundër presidentit Donald Trump u përballën në Uashington këtë të shtunë, por fatmirësisht nuk pati përleshje mes palëve.
Grupe të ndryshme pro Trump kishin paralajmëruar një protestë për atë që e quajnë vjedhje të zgjedhjeve, por u gjendën përballë grupimeve të majta që mbanin parulla ku tallnin presidentin për pretendimet e tij.
Trump u dha zemër mbështetësve duke shkruar në Twitter se edhe mund të dilte në tubim.
Por rreziku për përleshje mbetet i madh pasi numrat e protestuesve nga të dy palët pritet të shtohen në orët në vijim.
Kryebashkiaku i Uashingtonit, Muriel Bowser, premtoi prani të shtuar të forcave të Policisë për të siguruar rendin në qytet.
Projeksionet i japin fitoren në zgjedhje presidenciale kandidatit demokrat Joe Biden, por presidenti Trump nuk e ka pranuar humbjen dhe po ndjek ligjërisht rezultatet e votimeve në disa shtete.