Pas dështimeve kundër Kukësit në kampionat dhe Beshiktashit në Ligën e Evropës, Skënderbeu është rikthyer te fitorja në kampionat.
“Ujqërit e dëborës” treguan edhe njëherë vlerat kundër një rivali të fortë si Tirana, duke i mundur këta të fundit në fushën e tyre.
Djemtë e Mirel Josës treguan supremacinë duke fituar me rezultatin 2-1.
Miqtë e nisën mjaft mirë ndeshjen, duke kaluar në avantazh që në minutën e 4-t të takimit me anë të sulmuesit Hamdi Salihi.
Rastet e shumta për shënim nuk munguan në të dy anët, por pjesa e parë do të mbyllej me rezultatin 0-1 për korçarët.
Me ritëm dhe me raste për shënim nisi dhe pjesa e dytë.
Golin do ta gjenin sërish korçarët të cilët dyfishuan rezultatin në minutën e 73-t me anë të Berishës.
3 minuta më pas gjyqtari akordon një 11-metërsh për bardheblutë e Tiranës, i cili u shndërrua në gol nga Elis Bakaj.
Për kryeqytetasit do të duhej të ishte një festë kjo ndeshje, me rastin e inaugurimit të stadiumit të rikosntruktuar “Selman Strmasi”, për korçarët ishin tepër të fortë për ta.
Pas 3 fitoresh dhe një barazimi radhazi, Tirana nuk arriti dot të vijojë ecurinë pozitive në kampionat duke u mundur me rezultatin përfundimtar 2-1.
Pas fitores së sotme, tashmë Skënderbeu ngjitet në kuotën e 31 pikëve, 4 më pak se Partizani i vendit të parë.