Kryeministri grek Alexis Tsipras ka ironizuar homologun e tij turk Ahmet Davutoglu në lidhje me rrëzimin e avionit rus, duke i kujtuar këtij të fundit shkeljet e hapësirës ajrore që Turqia ka bërë në territorin grek. Përmes llogarisë së tij në Twitter, Tsipras ka shkruar jo pak, po plot 4 mesazhe të njëpasnjëshme. Twitteri i parë shkruante:
“Fat i madh që pilotët tanë nuk janë aq të shpejtë sa ata tuajët kundër rusëve”,
Dy shefat e qeverive morën pjesë në samitin BE-Turqi të mbajtur në Bruksel mbi krizën e refugjatëve, por Tsipras nuk sqaron nëse postimet ishin riprodhim i ndonjë bisede mes tyre apo u shkruan posaçërisht në Tëitter.
“Ajo që po ndodh në Egje është e papranueshme dhe e pabesueshme”, thuhet në mesazhin tjetër, të pasuar nga shpotia e radhës: “po shpenzojmë miliarda për armë”.
“Ju shkelni hapësirën tonë ajrore, ne ju diktojmë. Kemi sistemet më moderne ajrore, ama kur vjen puna në terren, nuk kapim dot trafikantët që mbysin njerëz të pafajshëm”, vazhdon Tsipras, duke lënë të kuptohet se fokusi kryesor duhet të jenë refugjatët e jo armët.
Kryeministri grek i referohet mes të tjerash në komentet e tij shkeljeve të vazhdueshme të hapësirës ajrore greke nga avionët turq, të cilat Ankaraja i mohon me forcë.
Mesazhet u fshinë shpejt, por jo përpara se Davutoglu t’i lexonte e t’i përgjigjej në mënyrë më diplomatike.
“Aleksis, le të përqendrohemi më mirë tek axhenda jonë pozitive”, u shpreh shefi i qeverisë turke.
Tsipras vizitoi gjatë nëntorit Ankaranë dhe Stambollin për bisedime me homologun turk dhe presidentin Rexhep Tajip Erdogan dhe ishte në tribunën e ndeshjes miqësore mes dy vendeve, e cila u errësua nga vërshëllimat dhe thirrjet e tifozeve turq “Allahu akbar” gjatë minutës së heshtjes të mbajtur në nder të viktimave të Parisit.