Partia Demokratike akuzon kryeministrin Rama për korrupsion, duke i dhënë një koncesion “120 milionë euro mikes së tij Vilma Nushi.
Deputetja e PDsë, Albana Vokshi tha se deri më sot duhet të hapeshin 18 laboratorë, por vetëm 3 janë hapur.
Deklarata e plotë e Vokshit
Koncesioni 120 milionë euro për Vilma Nushin, është korrupsioni më skandaloz që ka ndodhur deri tani me Edi Ramën, edhe pse vjedhjet dhe abuzimet janë nga më masivet e më të larmishmet në çdo drejtim e në çdo fushë.
Edi Rama i dha mikes së tij, Vilma Nushi, 120 milionë euro, që popullsia nga 40 deri në 65 vjeç të bëjë një kontroll mjekësor. Eksperiencë e tillë e padëgjuar më parë në asnjë vend të Evropës apo edhe në botë.
Por çfarë po ndodh në realitet me koncesionin e Vilmës??
Edhe pse paratë për të dytin vit, mikja e Edi Ramës i ka marrë paradhënie; kontrollin e kanë bërë vetëm rreth 10 përqind e qytetarëve të parashikuar (popullsia nga 40 – 65 vjeç është rreth 1 mln banorë).
Kontrolli bëhet me infrastrukturën dhe pajisjet e qendrave shëndetësore, me stafin e qendrave shëndetësore. Punën e bëjnë infermierët dhe stafi që paguhet nga shteti, nga taksat tona. Madje infermierët e qendrave shëndetësore punojnë mesatarisht 3 – 4 orë në ditë për llogari të Vilmës. Pra punë e bërë nga stafi i
QSH pa asnjë bonus pasi Vilma as këtë nuk e paguan.
Vilma deri më sot duhet të hapte 18 laboratorë, deri më sot vetëm 3 janë hapur, ndërsa 15 të tjerëve u është blerë vetëm emri se analizat e tyre sillen në Tiranë.
E vetmja gjë që bën mikja e kryeministrit, është se bën taksinë, në fakt merr kampionet me makinat që shpërndan duhanin, biznesin e saj primar.
Pra 120 milionë euro, Edi Rama, ia ka dhënë mikes së tij, që makinat e saj pasi të kenë shpërndarë cigaret nëpër Shqipëri, në kthim, ato të marrin kampionet e lëna disa orë në pritje, çka dëmton edhe garancinë e cilësinë e analizës që në shumë raste edhe ngatërrohen.
Një kaos skandaloz që jo vetëm nuk po i shërben qytetarëve, por po bëhet një rrezik i madh për shëndetin e tyre.
Partia Demokratike i kërkon mikes së Edi Ramës të tërhiqet nga ky abuzim e të kthejë paratë e shqiptarëve.
Partia Demokratike do ta anulojë këtë vjedhje, këtë abuzim skandaloz me paratë dhe shëndetin e shqiptarëve.
Me 8 dhjetor nis përballja pa kthim, për të ndalur këtë hajdutëri, këtë korrupsion të përbindshëm.