Policia Kufitare në Shkodër ka goditur një tjetër rast të tentativës për trafikimin e lëndëve narkotike, duke arrestuar dy persona, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.
Në kudër të operacionit të koduar “ ” u arrestuan E. I. 26 vjeç, banues në Shemri, Kukës dhe D. Zh. 19 vjeç banues në Kalimash, Kukës si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. D. 23 vjeç, banues në Shemri, Kukës.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi 1.5 kg kanabis.
“Ne vendin e quajtur “Shina-Hidrovor”, nga punonjësit e Policisë Kufitare, gjatë patrullimeve të shtuara është konstatuar një mjet tip “Ford”, drejtuesi i të cilit, në momentin që ka parë punonjësit e Policisë, ka shtuar shpejtësinë e mjetit duke lëvizur në drejtim të Hidrovorit. Menjëherë, punonjësit e Policisë janë vënë në ndjekje të automjetit.
Shtetasi E. D. braktisi mjetin dhe bashkë me dy pasagjerët tentoi të largohej në zonën e pyllëzuar në teren malor. Shërbimet e Policisë Kufitare u vunë në ndjekje dhe bënë të mundur kapjen e dy pasagjerëve, shtetasit E. I. dhe D. Zh, ndërsa drejtuesi i mjetit mundi të largohej. Shtetasi E. D. u shpall në kërkim dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur rreth 1.5 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Në përfundim të veprimeve, nga specialistet për Hetimin e Narkotikeve në DVP Shkodër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. I. dhe D. Zh., si dhe sekuestrimi i lëndës narkotike”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Trafikim i narkotikeve”, kryer në bashkëpunim dhe “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”.