“Një miqësi e vështirë”, ose ditari i Athinës së ish-ambasadorit të njohur Ksenofon Nushi, është prej pak ditësh për publikun shqiptar, sjellë përmes Shtëpisë Botuese ”Naimi”. Një rrëfim tejet i afërt me historinë e marrëdhënieve dy paleshe nga një dëshmitar i dorës së parë si protagonist por edhe si vëzhgues i rrallë. Ksenofon Nushi ka shërbyer si ambasador në këtë vend, por ndërkohë ka qenë deri në nivelet më të larta të Ministrisë së Jashtme në shekullin e shkuar. Me njohuritë e thukëta për marrëdhëniet, ai bën një nga vështrimet më të afërta për atë vijimësi të qëndrimit të shtetit shqiptar ndaj qeverive greke dhe anasjelltas.
Duke i ndërthurur normalisht me takimet që pati në postin e tij me zyrtarët më të lartë të Greqisë, duke filluar nga Harallambopulos, tek Papulias dhe vetë kryeministri Papandreu, personaliteti që ndërroi kursin e Greqisë.
Në thelb të këtij botimi është përpjekja e tij si zyrtar i lartë i shtetit shqiptar, por edhe i qëndrimit të instancave të ndryshme për abrogimin pa asnjë kusht të Ligjit të Luftës, e cila përbën boshtin e qëndrimit të tij si kryediplomat në këtë vend. Për gazetarin e njohur Gëzim Nushi (nipi i tij) përgatitësin e këtij materiali tejet interesant, ndarë në katër vëllime, lexuesi do të gjejë lëndë tejet burimore për historinë e marrëdhënieve dy paleshe në periudhën ndërmjet viteve 1982-1988 ose si e shpreh Profesor Pëllumb Xhufi: “diplomatët e sotëm shqiptarë do të gjejnë në këtë ditar përgjigjen e shumë pikëpyetjeve që rëndojnë ende sot në marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjin e jugut”.
Përmes faqeve të katër vëllimeve do të hasen dhe shumë personazhe të njohur e të panjohur grekë për publikun tonë, por me peshë të jashtëzakonshme për marrëdhëniet tona dypalëshe. Që Ksenofon Nushi i përshkruan në takimet e tij me të gjithë karakteristikat por edhe me kujdesin për të përcjellë mesazhe. Greqia, e parë me sytë e diplomatit, të jep shumë ndihmë për të kuptuar realisht sepse Ligji i Luftës është aq i vështirë për t’u hequr nga fqinjët tanë, por edhe qëndrimin pa ekuivoke nga pala shqiptare, në respekt të historisë dhe dinjitetit të saj. B.an