Papa Françesku ka shkuar në mëngjes në xhaminë e madhe të lagjes PK 5 të Banguit, enklava e fundit e myslimanëve në kryeqytetin e Republikës së Afrikës Qendrore që po përballet me dhunë ndërmjet komuniteteve. “Të krishterët dhe myslimanët janë vëllezër”, ka thënë ai para prijësve fetarë myslimanë të lagjes, transmeton “zeri.info”. Ai u drejtohej qindra personave të ardhur për ta pritur në oborrin e xhamisë, në një atmosferë të tendosur. Për sigurinë e tij dhe të zonës janë angazhuar forcat e OKB-së. Papa Françesku ka deklaruar se duhet t’i thuhet JO hakmarrjes, dhunës dhe urrejtjes. Në enklavën e PK5, ku janë strehuar myslimanët e fundit të Banguit, papa është pritur nga imami Nehedi Tidjani, në prani të delegacioneve katolike dhe protestante.
Me gjithë kohën e shkurtër të qëndrimit (rreth gjysmë ore), ceremonia, kryesisht simbolike, shihet si një gjest i fuqishëm i kërkimit të kthimit të besimit dhe i thirrjes për pajtim, ndërkohë që mosbesimi dhe frika janë tepër të pranishme te komunitetet.