Nga Mero Baze
Fatos Lubonjën e kanë kapur ethet elektorale të Lulzim Bashës dhe po mundohet të japë sugjerime publike, se cila nga partitë e reja duhet të mbështetet dhe cila duhet të sulmohet. E thënë shkurt, ai rekomandon që çdo parti e re që ka dalë nga PD, duhet të shpallet armike dhe vasale e Edi Ramës, ndërsa ajo që duhet, sipas tij, është Lëvizja “Vetëvendosja” dhe “Nisma Thurrja”.
Deri këtu nuk ka asgjë të re, pasi kështu mendon dhe Lulzim Basha dhe çdo militant i PD-së. Dhe nuk kanë faj.
Vetëm në këto zgjedhje po formohen 4 parti politike nga figura të rëndësishme të Partisë Demokratike, të brezit të vjetër dhe atij të ri, dhe natyrisht që e dëmtojnë PD-në.
Pra fakti që partitë e reja të dala nga PD, e dëmtojnë PD-në, nuk ha më debat. Ajo që ha debat është se kush është themeluesi i këtyre partive, Edi Rama apo Lulzim Basha.
Fatos Lubonja, i cili për 30 vjet na ka shurdhuar veshët për mungesën e demokracive në parti, për partitë banda, pa rregulla loje, për liderët autokratë të tipit Berisha dhe politikanët e korruptuar të tipit Meta, tani befas është bërë avokat i arsyeve përse janë krijuar këto parti.
Nëse Lulzim Basha do të ishte një lider demokrat, që do respektonte votën e demokratëve dhe kontributin e çdo figure politike brenda PD-së, ne nuk do kishim asnjë nga këto partitë.
Patozi dhe Topalli, si dy ish- nënkryetarë të PD, nuk kanë pas asnjë detyrë në ekzekutiv, dhe si të tillë nuk kanë pas as shanse të ishin të korruptuar.
Murrizi e Hajdari, që erdhën pas tyre në grup parlamentar, nuk janë figura pushteti të PD-së, por identitete politike brenda saj.
Figura më e korruptuar e pushteti të PD-së, që ka mbyllur gjyqin me procedurë për akuzën 220 milionë euro, që ka vrarë njerëz në Bulevard si ministër i Brendshëm dhe nuk është gjykuar, dhe që ka vjedhur vota hapur duke gjetur fletë votimi jashtë kutive, është Lulzim Basha.
Mes këtyre që nuk kanë qenë asnjë ditë në pushtet dhe i ka përjashtuar Basha nga partia si rivalë, dhe Lulzim Bashës, Fatos Lubonja është me Lulzim Bashën, pra është me të korruptuarin, autokratin që përjashton njerëz, dhe të pandëshkuarin e mbrojtur politikisht, nga ai që e ka marrë dhëndër brenda në parti.
Nga ana tjetër, Lubonja ndryshon kriteret dhe rekomandon si parti që duhet të votohen, dy OJQ që nuk janë ende parti, “Vetëvendosjen” dhe “Nismën Thurrja”.
“Vetëvendosja” mund të bëhet kur të dojë parti dhe ne do ta gjykojmë kur të njohim kush është në krye, pasi deri tani është si filial i Albin Kurtit në Tiranë.
Kurse ata që janë në krye të “Nismës Thurrja” i njohim, se kanë qenë drejtorë të Ilir Metës, të shkarkuar prej tij për korrupsion. Dhe ky është detaj i rëndësishëm, të kesh rival Ilir Metën si i korruptuar. Por dhe ata kanë elektoratin e tyre dhe duhet ta provojnë fatin. Nuk kemi pse u presim hovin.
Por mundimi i Lubonjës, që Bashën ta mbështesë duke i larguar rivalët që nuk kanë qenë në pushtet, pra duke bërë thirrje të ndëshkohen Patozi, Topalli, Murrizi e Hajdari, dhe Metën e Monikën t’i mbështesë duke i afruar ish- drejtorët që i ka zbuar vetë Meta, se kanë qenë pjesë e pushtetit të korruptuar, është një stërmundim i madh. Pasi sipas tij, paska të zbuar që duhen mbajt larg, se nuk kanë vjedhur, dhe të zbuar që duhen afruar, se kanë përvojë për korrupsion.
Guximi për ta sugjeruar këtë marrëzi publikisht, nxitet ose nga një adhurim i madh për të korruptuarit dhe autokratët, ose nga një korruptim i madh prej tyre. Kjo e dyta mund t’ia bënte jetën më të mirë, se ka gjithë jetën që bredh nga një oligark në tjetrin dhe i duket vetja i varfër, ngaqë nuk ka lekë sa ata.