Tiranë, 9 Nëntor – Gjatë komunikimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve me mediat, Drejtori i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj tha se po i shërbejnë çdo qytetari edhe përmes autoambulancave të pajisura me të gjitha pajisjet e nevojshme.
“Kohët e fundit edhe në media është vënë rë dhe thuhet rradha e ambulancave para spitaleve. Është normale, pasi nga grada e parë, kaluam tek e dyta dhe tek QSUT nuk kemi një spital vetëm, por kemi dy Covid tani, dhe normalisht numri i autoambulancave është dyfish. Kështu që edhe procedura e përgjigjies ose edhe e shtrimit në spital ka edhe vetë anën administrative dhe koha fizike që duhet për të sistemuar këto të sëmurë. Ne e dimë dhe e kujtojmë shumë mirë kohën kur ambulance ishte thjesht një mjet transporti. Ndërsa sot është një minispital që u bën asistencën qytetarëve. Në ato autoambulanca nuk mungon asgjë, nga aparaturat, nga barnat te personeli”, tha Brataj.
Gjatë fjaës së tij, Dr. Brataj bëri dhe një përmbledhje të thirrjeve dhe misioneve të kryera vetëm gjatë muajit Tetor, duke theksuar rritjen e numrit të tyre që sollën dhe vendimet e fundit të Komitetit Teknik të Ekspertëve.
“Numrat tregojnë që ka pas një rritje të rasteve në muajin e fundit. Nga 1300-1400 që ne kishim shkuar, jemi sot rreth 3 mijë thirrje. Nga 1 tetori deri në datën e sotme, janë rreth 80 mijë thirrje të kryera drejt 127, nga të cilat janë 13 mijë e 538 vizita në shtëpi, ose 21 mijë 769 thirrje për Corona drejt 127 nga të cilat janë bërë 13 mijë e 41 vizita dhe 1419 janë dërguar në spital, ndërsa 1622 janë trajtuar në banesë. Nga të cilat 46.7 % janë trajtuar në spital dhe rreth 53 % në banesë”, tha Brataj.