“Nata e bardhë”, një traditë që shoqëron prej vitesh 29 Nëntorin në kryeqytet, solli edhe këtë vit festa dhe spektakle të shumta për qytetarët.
Një sërë aktivitetesh ishin të hapura për qytetarët prej orës 18.00 të pasdites së 29 Nëntorit deri në orën 4 të mëngjesit të 30 Nëntorit, duke sjellë kështu një frymë ndryshe nga vitet e tjerë, ku përveç muzikës e koncerteve festive në kryeqytet, kjo festë u konceptua edhe si një natë e gjatë për të sjellë artin pranë publikut.
Muzeu Kombëtar, Galeria Kombëtare e Arteve, Cirku, Teatri i Operas dhe Baletit, Teatri Kombëtar dhe Teatri i Kukullave u shndërruan në ekspozita të përkohshme arti, të hapura me aktivitete dhe interpretime për të gjithë audiencën.
“Nata e Gjatë në Muze”, është një tjetër risi, e cila erdhi e promovuar në Galerinë Kombëtare të Arteve, duke iu bashkuar për herë të parë 120 qyteteve europiane të cilët kanë tashmë këtë traditë. Gjatë kësaj nate vizitorët në Galerinë e Arteve patën mundësi të shikojnë falas ekspozitat dhe shfaqje të tjera të bashkëlidhura për këtë natë të veçantë. Por edhe kinematë e qytetit ofruan “non stop” filma me çmime të reduktuar.
29 Nëntori solli një natë të gjatë, ku rrugët, sheshet e qytetit, institucionet e artit, baret, restorantet gjalluan me aktivitetet e artit, shfaqje, filma e koncerte të ndryshme.
Të rinjtë e kryeqytetit dhe jo vetëm mbushën gjithashtu lokalet dhe pubet më me emër në zonën e Ish-Bllokut në Tiranë ku festuan deri në orët e para të mëngjesit.
Ndërsa mbrëmja arriti kulmin për kryeqytetasit kur, John Newman, artisti që kryeson top listat britanike performoi në Sheshin Skenderbej.
Në koncertin më të madh festiv të organizuar ndonjëherë për Natën e Bardhë, Newman interpretoi për publikun shqiptar këngët që kanë kryesuar për javë të tëra top listat britanike. Koncerti që erdhi në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës filloi në orën 21.00, në sheshin Skënderbej dhe përfundoi pas mesnate.
John Newman numëron katër albume muzikore në repertorin e tij dhe mbi 480 milionë klikime në kanalin zyrtar në youtube. Këngëtar, kompozitor dhe tekstshkrues i këngëve të tij dhe shumë artistëve me famë botërore. Hiti i tij “Love Me Again” u rendit i pari në “UK Singles Chart” në korrik 2013 dhe ka mbi 355 milionë klikime në Youtube. I nominuar për tre çmime Brit Awards, fitues i Best International Video nga Los Premios 40 Principales në 2013, Newman nisi të shkruajë muzikë që në moshën 14 vjeçare. Pika kulminante e festimeve në Natën e Bardhë do të rezervojë për ju pikërisht performancën e këtij artisti të talentuar, i cili ka emocionuar gjithë botën me tingujt e tij.
ATSH