E ftuar në rubrikën “Tani mund të këndosh” ka qenë këngëtarja e njohur Rovena Dilo e cila ka folur për jetën e saj personale dhe profesionale. Ajo ka rrëfyer momentin kur udhëtoi për në Greqi dhe punën që ka bërë aty.
Ardit Gjebrea: Më trego si ikët dhe pse ikët në Greqi?
Rovena Dilo: Në vitin ’90-’91 kur të gjithë shqiptarët po mundoheshin të iknin. Kam qenë 20 vjeç. Ne kishim një shtëpi në Kavalla, pra shtëpinë e gjyshit tim dhe kishim një arsye më shumë për të ikur. Atëhere të kishe një shtëpi diku, dukej se ishte gjëja më krysore, por që nuk ishte kryesorja sepse të kishe një shtëpi në Kavalla nuk është njësoj si të kishe një shtëpi në Paris. Gjithsesi vazhdojmë ta kemi atë shtëpi ende sepse aty nuk ta merr kush shtëpinë.
Ardit Gjebrea: Çfarë bëje në Kavalla?
Rovena Dilo: Në Kavalla fillova të këndoja. Studimet unë i lashë këtu përgjysmë, studioja për Gjuhë dhe Letërsi. Dëshira e prindërve ishte të vazhdoja studimet për filozofi angleze në Selanik, por duke qenë se unë në Kavalla shkova me një kasetë të vogël ku kisha inçizuar një këngë në momentin e fundit me të cilën e përshëndeta Shqipërinë dhe mbrëmjen kulturore dhe kjo kasetë ka qenë arsyeja që më lidhi me Shqipërinë dhe Greqinë dhe me muzikën.
Mamaja ime të gjithë njerëzve që vinin në shtëpi për vizitë ia vinte këtë kasetë dhe i thoshte e keni dëgjuar si këndon Rovena? Të gjithë miqtë që vinin dëgjonin këngën time.
Ardit Gjebrea: A paguheshe mirë aty?
Rovena Dilo: E kam nisur me një pagë shumë të vogël sepse unë nuk kisha repertor.
Ardit Gjebrea: Sa?
Rovena Dilo: Paga e parë që kam marrë që e merrja të përditshme dhe në fund të javës vinte në zarf 5 mijë dhrami për dy këngë që janë 25 mijë lekë të vjetra. Në ato vite kanë qenë shumë, babai im ka qenë njeriu më i lumtur. Në Greqi qëndrova 8 vjet, ikje ardhje. Më vonë fillova të merrja shumë lekë. Gjithçka në Greqi ishte demokratike, ata të linin të lirë në përzgjedhjen e artistëve që ti dojë të këndoje, të bëje coverat. Unë këndoja në buzuqe, në piano bare, në gjithçka që kishte muzikë.