Joe Biden vijon të fitojë terren ndaj Donald Trumpit në 4 shtetet e shndërruara në fushëbetejën finale për zgjedhjet presidenciale të këtij viti. Demokrati ka ngushtuar diferencën në Xhorxhia dhe Pensilvani, ku kryeson rivali republikan. Ndërsa, diferenca është zgjeruar sërish në favor të Biden në Nevada.
Ende në lojë janë 57 delegatë në total nga Pensilvania, Xhorxhia, Karolina e Veriut dhe Nevada. Joe Biden i mjafton fitorja e vetëm njërit prej këtyre shteteve për të siguruar 270 votat e nevojshme. Ndërsa Donald Trumpit i duhet të sigurojë fitoren tek të katërtat.
Aktualisht kandidati demokrat përllogaritet të ketë 264 vota kolegji, ndërsa republikani 214.
Por teksa procesi i numërimit të votave vazhdon në disa shtete federale, përfshirë Pensilvaninë, Arizonën, etj, ka pasur përleshje mes mbështetësve të të dyja partive. Mbështetësit e republikanëve u grumbulluan në përpjekje për të penguar numërimin në ato zona ku liderët e kësaj partie kanë hedhur dyshime për manipulime.
Stafi i fushatës së Trump ka nisur një betejë ligjore duke kërkuar në gjykatë që të mos numërohen votat me postë të dërguara jashtë ditës së zgjedhjeve, por edhe pse gjykata e rrëzoi kërkesën e parë pritet që ai ta apelojë. Në krahun tjetër, demokratët dolën në mbrojtje të numëruesve duke kërkuar që ky proces të vijojë.
Klima politike është tepër e tensionuar në këto zgjedhje. Ato kanë shënuar pjesëmarrjen më të lartë në më shumë se një shekull, mbi 65%. Nëse fiton, Biden bëhet kandidati i katërt në histori që mund një President në detyrë.
/a.r