Mbështetësit e kandidates amerikane për zëvendëspresidente, Kamala Harris, mbajtën lutje pranë fshatit të saj stërgjyshor në Indi, përpara zgjedhjeve të martën në SHBA, ndërsa një grup hindu kërkoi bekime hyjnore për rivalin e saj, Donald Trump.
Rajoni jugor indian, ku lindi gjyshi nga nëna e Harris, dëshiron që Partia Demokratike të fitojë për shkak të kësaj lidhjeje familjare. Ndërkohë, një grup që pretendon të ketë mbështetjen e 5 milionë hindustëve, thotë se dëshiron që Trump të rizgjidhet në mënyrë që të mbajë nën kontroll rivalët kryesorë të Indisë, që janë Pakistani dhe Kina.
Disa orë para zgjedhjeve presidenciale të SHBA, njerëzit që jetonin në fshatin e gjyshit të Harris (Thulasendrapuram), u mblodhën në një tempull për lutje të veçanta.
Një politikan lokal zhvilloi një “abhishekam”, një praktikë që përfshin derdhjen e qumështit mbi një idhull hindu ndërsa recitohen vargje fetare. Më shumë se 15 makina dhe motoçikleta, që u përkisnin reporterëve që punonin për media lokale dhe ndërkombëtare, ishin mbledhur në këtë fshat për të ndjekur ritualin.
Ndërsa në Delhi, një grup i njohur si Hindu Sena (ushtria Hindu) u bashkuan me një prift të veshur me rroba shafrani për të kryer rituale zjarri dhe për të kënduar vargje për fitoren e Trump.
“India mund të luftojë terrorizmin vetëm nëse Trump është afër, kështu Kina dhe Pakistani do të qëndrojnë të përmbajtur për sa kohë që ai është president. Ne urojmë dhe Harrisin për shkak të prejardhjes së saj indiane, por nënkryetarët nuk janë aq të fuqishëm”, u shprehën ata. /d.c