Pas bastisjes së zyrave të Lëvizjes Vetëvendosja, nga ana e policisë kosovare, si dhe arrestimit të një sërë anëtarësh të saj, përfshi këtu edhe ish liderin Albin Kurti, në rrjetin social ka reaguar deputeti socialist Erjon Braçe, duke i cilësuar arrestimet si “fundi”.
Pas kritikave të deputetit socialist, ka reaguar këshilltari i kryeministrit të Kososvës, Sokol Havolli, i cili ka ironizuar Braçen. Kaq ka mjaftuar që të ndizet një debat në distancë mes palëve, ku nuk kanë munguar dhe ofendimet. Madje Havollit i ka ardhur një sms private nga ana e Braçes, të cilën ai e ka postuar në Facebook.
Postimi i parë i Erjon Braçes:
PAMJE TË TMERRSHME KËTO QË PO SHOH PARA SELISË SË VETËVENDOSJES NË PRISHTINË!! Kur policia hyn brenda selisë së një Partie ky natyrisht që është fundi!! Nuk do te bie darkord ndonjëherë me ato që kanë ndodhur brenda në Kuvendin e Kosovës. Nuk i pranoj dhe as mendoj se janë zgjidhje për problemet politike e shtetërore atje.
Por, NUK DO TË PRANOJ KURRË QË POLICIA TË MARRË NJË PARTI, TË ARRESTOJË NË SERI DJEM E VAJZA TË NJË PARTIE PËR POLITIKË! NUK DO TË PRANOJ KURRË QË TË ARRESTOHET NJË DEPUTET QË NUK VJEDH, NUK KORRUPTOHET, NUK VRET! Kujtoja se koha kur politikanet apo cilido tjetër për bindjet e tij dërgohet në burg, kish marrë fund. Por jo, paska kohë ende, është koha e Prishtinës.
Postimi i parë i Sokol Havollit:
Erion Braçe, nga Shqipëria, që punon në Ligjin për Dekriminalizim të Kuvendit të Shqipërisë na paska ligjëruar çka është fundi, e çka fillimi i një shteti. Për më shumë, ai na paska treguar se kush vjedhë e kush nuk vjedhë në Republikën e Kosovës.
Për të, është normal arma në Kuvend të Kosovës, por nuk është normal të ndiqet nga institucionet e pavarura ai që e përdorë atë armë.
Fat i keq, që Shqipëria nuk e ka një politikan si Erion Braçe në skenën e saj politike, këto 20 vjetët e fundit, se ndoshta Shqipëria nuk do kishte fare nevojë, në vitin 2015, për ligj dekriminalizimi.
Andaj, është mirë që z. Braçe të punojë në dekriminalizim të Kuvendit të Shqipërisë, e të mos inkurajojë kriminalizimin e Kuvendit të Kosovës, për shkak të afërsisë ideologjike me njerëz që nga mëngjesi në darkë ofendojnë, sulmojnë dhe përpiqen që të zhysin Kosovën në anarki ai ajo e vitit 1997 në Shqipëri.
Mesazhi i Braçes dërguar Havollit:
Djalë i vogël; Nuk po te pyes a di te lexosh shqip; lexoj radhët qe ke shkruar dhe nuk kuptoj asgjë, po fare!! Nëse di te lexosh, ne paragrafin e trete te asaj qe kam shkruar, është shume e qarte se unë as bie dakord e as pranoj ato qe kane ndodhur ne Kuvendin e Kosovës. Lexoje, kuptoje dhe qetësohu. Ne ane tjetër, harroje ti se për te thënë atë që mendoj, do të marr leje ty, padronit tënd dhe kujtdo tjetër. Vendi im ka kohë që është i lirë dhe, nuk merret kërkund lejë për të thënë atë që mendon, ndaj mendoje ndryshe, nuk është punë zyre, nuk ka shef që të urdhëron mendimin.
E fundit, të thashë më lart që nuk arrij të kuptoj çke shkruar, por nuk e kuptoj hiç këtë paragrafin me Dekriminalizim apo edhe këtë tjetrin me “fat të keq” e mos më të keq. Por një gjë po ta them dhe ty dhe mbase e kupton, njësoj siç ja kam thënë këtu këtij idhullit tënd në vendin tim, Sali Berishes:
Nuk ka njeri të gjallë këtu, aty tek ty jo e jo, të më akuzojë mua për një shkelje ligji, për një qindarkë borxh, për një qindarkë të vjedhur, për një metër katror pasuri të paligjshme e të pa justifikuar!! ASNJË!! Përpiqu pak më shumë se ku i dihet, mëson më shumë. Pikërisht se është kështu, kam prej vitit 1996-të, vit kur idhulli yt Sali dhunoi, vodhi, vrau e preu ne këto anë, QË MË VOTOJNË NJERËZIT!! I numëron dot? Numëroi njëherë! Janë vite pune për njerëzit dhe shërbim për ta, jo vite shërbimi ndaj Serbisë, në Partinë e Serbisë apo për Kriminalizimin apo Dekriminalizimin. Kuptove? Vo: që të mos gënjesh herë tjetër kur shkruan, më poshtë ke postimin tim.
Reagimi i Havollit për mesazhin e Braçes:
Njeri i vogël: Sa për faktin që nuk e kupton as gjuhën shqipe, më vjen shumë keq, sepse së paku në aspektin intelektual, kam menduar se jeni më i ngritur. Ndërkaq, të ju them të drejtën, vura re probleme të theksuara në semantikën tuaj. Unë qartë e kuptova kundërshtimin tuaj për veprimet e opozitës në Kuvendin e Kosovës. Por, zotëri i madh Braçe, ato veprime, përdorimi i armëve brenda Kuvendit të Kosovës, e jashtë Kuvendit nga persona të paautorizuar, janë vepra penale. Kryerësit e veprave penale, kudo, ndiqen nga organet e pavarura: prokuroria, policia e gjyqësori.
Nuk ka politikë këtu. Sa për dakordësinë tuaj, unë e kam parasysh që ju mund të bini dakord vetëm me të tillët që i keni mbrojtur, sepse ju bashkon ideologjia. Sa për punë padronësh, ndoshta ju jeni vërtetë kompetent të flisni për shkak të përvojës në këtë drejtim. Se cilët janë idhujt e mi, vetëm një gjë ta garantoj: nuk i kemi të njëjtit! Dhe unë jam shumë krenar për këtë. Se për çfarë ju akuzojnë në “vendin tuaj”, e dini ju, dhe mua fare nuk me hyn në punë. Mirëpo, unë, si ndjekës i rregullt i zhvillimeve politike në Shqipëri, jam mirë i informuar se çfarë ju personalisht përfaqësoni në politikën shqiptare dhe në Partinë Socialiste. Sa për vitet e shërbimit – për kë e për ku, çfarë të ju them, përveç promovimit të përzemërt që i keni bërë ngritjes së tre gishtërinjve në vitin 1997.
Lidhur me shkrimin tuaj, që ma keni ridërguar, më duhet të ju them se në këtë tekst ke dhjetëra gabime drejtshkrimore e logjike, për çudi, kur dihet se keni punuar në një gazetë me “traditë të gjatë” në Shqipëri. Për fund, tërë këto që janë shkruar këtu do t’i publikoj, sepse unë nuk fshihem pas tastierës, sepse nuk kam nevojë të fsheh asgjë.