Nga Lorenc Vangjeli
Kush i ka parë si kundërshtarë me njëri-tjetrin, ka gabuar që në thelb. Ka gabuar edhe kush i pa për ditë të tëra si të përfshirë në një garë, në të cilën njëri do të fitonte e tjetri do të humbiste, njëri do të provonte dehjen e triumfit e tjetri shijen e mposhtjes.
Kush mendonte se të dy ata, njëri me dihatjen e Ramës mbas shpine dhe tjetri me peshën e stadiumeve bosh mbi shpatulla, nuk do të kishin gjunjë për të shkuar më tej, fatmirësisht u dëshmua i gabuar. Humbi edhe kush vuri bast se ata ishin skaje litari, që tërhiqeshin me nerva të bëra tërkuzë nga pandemia. Tifozët e të dy palëve ishin sërish pa fantazi. Dhe me logjikë që nuk kapërcen dot barrierat, të cilat mentaliteti ballkanas, i ka “të shenjta”: I mençur është kush nuk tërhiqet dhe jo ai që negocion, ka të drejtë ai që bërtet më shumë dhe jo ai që zgjedhë të arsyetojë, është i fortë ai që derdhet në luftë dhe jo ai që mendon për kompromis, se fiton ai që shkel kundërshtarin dhe jo ai që afron krahun edhe për armikun!
Kush shpresoi, u lut dhe besoi se sa më keq të jetë sot, aq më mirë do të jetë nesër për të, ka rastin t’i bëjë bashkë shpresat e gënjeshtërta, lutjet hipokrite dhe besimin budalla dhe t’i vendosë në xhepin e pasëm të pantallonave. Për t’i ruajtur për një herë tjetër.
Fidel Ylli si negociator i qeverisë përballë Ligës Profesioniste që kishte bojkotuar kampionatin e futbollit dhe Armand Duka, si president i saj, me një listë kërkesash për qeverinë, zgjodhën të zhgënjejnë të gjithë ata që kishin vënë bast se do të ndodhte ndryshe. Në fakt, tradita në Tiranë jep shembuj pafund se në një shoqëri të ndarë dhe të radikalizuar në ekstrem politikisht, fruti i vetëm që do të korrte urrejtja, do të ishte me gjemba ndarjeje.
Kësaj here ndodhi ndryshe dhe as Rama nuk ra, as futbolli nuk u bë gozhdë për sytë e kryeministrit dhe as futbolli nuk u mbyll lakuriq në dhomat e zhveshjes. Negociatat e gjata e të lodhshme që e shndërruan Yllin në politikanin që gjykonte si sportisti i dikurshëm dhe Dukën, njeriun e sportit, e bënë të sillet si politikan klasi, dhanë një përfundim të lumtur për të gjithë! Duke nisur me konsumatorin e sportit që është tifozi i thjeshtë, që e kishin dënuar të rrinte në shtëpi. Kampionati do të rifillojë dhe kush do sportin, me kokë të lodhur në kohë pandemie, do të shohë këmbët e futbollistëve për çlodhje. Por kjo është vetëm dukja që do të shfaqet në stadium. Ka shumë më shumë se kaq.
Dueti Ylli – Duka dha një leksion të jashtëzakonshëm për kokat e nxehta në Tiranë: Gjej arsye edhe tek kundërshtari më i egër! Gjej çfarë të bën bashkë përpara se të luftosh për çfarë je kundër! Hap një derë në fillim dhe mos ndërto një mur që në krye të herës! Nëse do ta kishin bërë një vit e kusur më parë një gjë të tillë Basha, Kryemadhi, Berisha e të tjerë, që të mos i besonin bojkotit, por logjikës, Shqipëria sot do të ishte ndryshe. Nëse të gjitha ata që kanë pasur një zë publik në politikë në këto tre dekada, do të kishin gjykuar qetësisht se triumfi vetjak është humbje për të gjithë, sot Shqipëria do të ishte padyshim më e mirë.
Në një botë që e kërkon gjithë herët ekuilibrin, që nuk le boshllëk pa mbushur, kush zgjedh vetëm refuzimin, herët a vonë do të jetë gjithashtu i refuzuar. Sportisti Fidel Ylli dhe politikani Armand Duka apo anasjelltas, janë shembulli ulëritës që dëshmon se politika nuk është sport për të gjithë. Dhe se 25 prilli është rasti që dikush të varë këpucët në gozhdë. Sepse nuk i mbajnë më gjunjët që të vazhdojë t’i bjerë në qafë një zanati, i cili është më kapriçioz se një grua e bukur!