Pa nisur ende sezoni, Tirana dhe Bylisi janë penalizuar nga Komisioni i Disiplinës. Kampionët e Shqipërisë nuk do të kenë në dispozicion për 4 ndeshje dy titullarët Idriz Bathën dhe Agustin Torasën për sjellje të pahijshme ndaj zyrtarit të ndeshjes miqësore. Për rrjedhojë, ata nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Egbo për ndeshjen e Kupës me Shkumbinin dhe takimin e parë të Kategorisë Superiore me Kukësin.
Pa u “lagur” nuk ka shpëtuar as sulmuesi i ri i Bylisit Kudus Laval. 25-vjeçari është pezulluar për 5 takime pasi ka goditur me shkelm njërin prej kundërshtarëve gjatë njërës prej ndeshjeve miqësore.
Këto vendime vijnë një ditë para se futbolli shqiptar të nisë aktivitetin me Kupën e Shqipërisë.
Vendimet e Disiplinës
1. Lojtari i KF Bylis, Qudus Abiodun Lawal, për goditje me shkelm ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/1/e të KDS dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
2. Lojtari i KF Tirana, Agustin Gonzalo Torassa, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/1/a të KDS dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
3. Lojtari i KF Tirana, Idriz Batha, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/1/a të KDS dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
g.kosovari