Liria e medias është kthyer në temë debati në studion e emisionit Java në RTSH këtë të premte. Deputeti Musa Ulqini, Botuesi Carlo Bollino dhe zëdhënësja e PD Ina Zhupa kanë argumentuar se si shihet sot media në lidhje edhe me mazhorancën e opozitën.
“Shumë prej mediave janë selektive në transmetimin e deklaratave të opozitës. Shpesh mediat fokusohen tek gjëra të parëndësishme për të hequr vëmendjen nga problemet reale” – akuzoi Zhupa.
Sakaq deputeteti i Partisë Socialiste Musa Ulqini, vlerësoi lart transformimin e transmetuesit publik në vitet e fundit. Sipas tij , prej katër vitesh RTSH është hequr nga lista e njollave të zeza në rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Komisioni i Venecias e mbështet vendimin e qeverisë për ligjin për median online. Ky ligj plotëson standardet evropiane dhe mbron gazetarët dhe ndjekësit e medias. Pluraliteti i mediave në vend është edhe meritë e kësaj shumice e cila ka krijuar frymën e duhur” – tha deputeti Musa Ulqini në studion e emisionit “Java në RTSH”.
Ai shtoi se pothuaj të gjitha mediat dhe emisionet televizive janë kritike ndaj kryeministrit dhe qeverisë.
“Rama në studio televizive nuk ka sjelljen e një politikani tradicional. Ka një sjellje atipike. Kryeministri nuk ka refuzuar asnjë media dhe në studio ai sillet si një prej gazetarëve” – tha Ulqini.
Edhe botuesi dhe gazetari i njohur Carlo Bollino, në fjalën e tij vuri në dukje se RTSH tashmë është i pavarur dhe nuk është një shërbëtor i qeverisë.
Ai replikoi edhe me zëdhënësen e PD duke u shprehur se të gjitha mediat i transmetojnë konferencat e të gjitha partive pa asnjë dallim.