Policia e Shtetit njofton se ka gjobitur me 3 mijë lekë të reja 765 qytetarë, të cilët nuk janë bindur për të mbajtur maskë.
Gjithashtu, policia thotë se gjatë kontrolleve, kanë konstatuar 3 lokale, në ambientet e të cilëve kishte muzikë pas orës 20:00 dhe nuk respektoheshin protokollet e sigurisë që kanë si qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Secili prej administratorëve të këtyre lokaleve është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë.
“Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, nga Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore janë evidentuar 765 qytetarë që nuk kishin maskat mbrojtëse, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 3 lokale, në ambientet e të cilëve kishte muzikë pas orës 20:00 dhe nuk respektoheshin protokollet e sigurisë që kanë si qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19. Secili prej administratorëve të këtyre lokaleve është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë“, thuhet në njoftimin e policisë.
Po ashtu policia thotë se ka shoqëruar në polici 8 qytetarë që nuk pranuan të tregojnë dokumentin e identifikimit.
“Gjatë këtyre kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 8 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët që respektojnë këtë masë mbrojtëse dhe apelon që të gjithë të vendosin maskat mbrojtëse, të respektohet me rigorozitet vetëkarantinimi i detyrueshëm nga ata qytetarë që janë të prekur me COVID-19, pronarët e lokaleve të respektojnë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19″, thuhet në njoftimin e policisë.
g.kosovari