Kryeministri Edi Rama hodhi akuza të forta ndaj opozitës, teksa tha nga Kukësi se ata ishin dy mandate në pushtet dhe nuk bënë asgjë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Sipas tij, nëse ata do të ishin në pushtet në këtë kohë të vështirë të tërmetit dhe pandemisë, nuk do ta kishin përballuar dot sfidën.
“Edhe një vend pune që kishin, që t’i shërbenin Shqipërisë në Parlamenti, edhe atë vend pune e braktisën, sepse nuk rrinë dot me dinjitet në një vend pune. Prandaj janë rrugëve, shajnë rrugëve, shfaqen nëpër ekrane si të dehur, që kanë dalë te dera e klubit dhe nxjerrin gjithçka pa mundur më të kontrollojnë zorrët e barkut. Kjo është fatkeqësia. Paramendoni çfarë do të ndodhë, nëse iu mbetet atyre puna për rindërtimin. Dua ta kujtoj këtu se një grup jo i vogël, por i madh, familjesh, u përmbyt në Shkodër dhe u desh të vinim ne në qeveri për t’iu dhënë dëmshpërblimet.
Parafytyroni tani çfarë bëjnë këta nëse vijnë e marrin përsipër të ndërtojnë shtëpitë e njerëzve dhe pallatet, apo të përfundojnë shkollat. Është e thjeshtë për t’u parafytyruar, sepse nuk ka nevojë të hedhësh fall, të vrasësh mendjen, sepse bëhet fjalë për lojtarë të njohur, që i keni parë në fushë, që e kanë pasur mundësinë të luajnë. Dhe faktikisht kanë dalë të mundur përballë sfidave, përballë të gjitha sfidave. Më thoni një sfidë që ata e fituan kur ishin në fushë. Flasin sot disa, që janë ata që s’duan të shohin e dëgjojnë, që ne e paskemi krijuar varfërinë, që ne e paskemi vështirësuar ekonominë apo që paskemi hapur rrugën të largohen. E vërteta nuk është kështu.
Patjetër që shqiptarët do të largohen dhe patjetër që në këtë fazë ka më shumë që largohen, por kjo do të ndryshojë. Do të ndryshojë si në të gjitha vendet komuniste, ku largimet kanë qenë masive, dhe sot janë më pak. Nuk jemi më në bunkerin e Enver Hoxhës, ku nuk mund të lëvizte njeri. Si mund të pranojmë ne që gjithë kjo punë që kemi bërë, gjithë këto themele që kemi hedhur, të ndërpritet dhe gjërat të ktheheshin siç ishin. Ata që sot duan të kthehen, e kanë pasur dy herë mundësinë, herën e parë kur Shqipëria përfundoi në humnerë dhe shqiptarët u lanë në mëshirë të fatit, në duart e Sudes, dhe herën e dytë kur Shqipëria ishte në buzë të humnerës. Kur erdhëm ne nuk kishte lekë në buxhetin e shtetit dhe Shqipëria ishte zhytur në borxhe.
Dëme vendit e njerëzve, siç iu kanë bërë ata, s’i kemi bërë vendit kurrë ne. Nuk e kam fjalën këtu për ata njerëzit e vrarë me plumba, se dilnin në protestë, këto janë më ekstremet, por e kam fjalën për dëmet e shkaktuara në çdo sektor, te të rinjtë, te fëmijët. I kanë batërdisur me qindra tekste idiote, që janë detyruar prindërit t’ua blejnë. Sot fëmijët kanë tre tekste, tre alternativa. Jo tekste të shkruara nga këshilltarët injorantë të Saliut, por 3 tekste. Ashtu siç i kanë librat falas dhe prindërit nuk paguajnë korrupsionin dhe injorancën”, deklaroi Rama.
/e.rr